Transmetuar më 29-05-2013, 16:44

Gjorgje Ivanov

Shkup, 29 maj 2013, NOA.al – Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov bëri të ditur sot anulimin e mbajtjes së samitit të shefave të shteteve dhe qeverive të rajonit në Ohër.

Takimi i nivelit të lartë që ishte në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit Rajonal në Evropën Juglindore (SEECP) në organizim të presidentit Gjorgje Ivanov, ku nuk ishte ftuar Kosova dhe Presidentja Atifete Jahjaga. Anashkalimi i Kosovës bëri që të anulohet pjesëmarrja edhe nga presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.

Ivanov në konferencën me gazetarët në selinë presidenciale theksoi se vendimi për anulimin e këtij samiti u bë në përputhje me interesat shtetërore dhe dinjitetin e Maqedonisë dhe se sipas tij, ai ka vepruar në përputhje të plotë me dokumentet bazë dhe rregullat si kryesues me Procesin e Bashkëpunimit Rajonal në Evropën Juglindore (SEECP).

“Por, për fat të keq paragjykimet dhe komplekset e vjetra ballkanike sërish u gjallëruan në prag të Samitit. Nuk do të lejojë që në kurriz të Maqedonisë të shkelen paragjykimet e vjetra ballkanike dhe kjo të jetë një kusuritje e interesave të shteteve ballkanike dhe çmimin ta paguajë Maqedonia”, deklaroi presidenti Ivanov, raporton gazetari i Noa.al në Shkup.

Presidenti Ivanov disa ditë më parë kishte dhënë arsyetimin e tij për mosftesën e Kosovës.

“Ftesa nuk është dërguar për presidenten e Kosovës, për shkak se nuk ishte pengesë për këtë vetëm një shtet, kundër dëshirës së Maqedonisë për të ftuar Kosovën në këtë samit. Në përputhje me aktet themelore dhe praktikat e deritanishme, Republika e Maqedonisë nuk mund të bëj ftesa, për shkak se do të rrezikon që disa nga vendet anëtare të SEECP (Procesi për Bashkëpunim në Evropën Juglindore) të refuzonin pjesëmarrjen”, thuhej në arsyetimin nga kabineti i presidentit Gjorgje Ivanov.

Bujar Nishani, Atifete Jahjaga

Prishtina zyrtare përmes kryeministrit Hashim Thaçi dhe ministrit të jashtëm Enver Hoxhaj vendimin e Shkupit e quajtën antieuropian dhe kundër frymës së dialogut rajonal.

Ndërsa, Beogradi zyrtar përmes një reagimi nga ana e zëvendëskryeministrit të parë Aleksandar Vuçiç deklaroi se vendimi për të mos ftuar Kosovën ishte ndërmarrë nga vetë Shkupi dhe nuk ishte kërkesë e autoriteteve serbe.

Samiti i shefave të shteteve do të duhej të mbahej me 1 qershor në Ohër, ndërsa më 2 qershor në Strugë do të mbahet Forumi i Dialogut midis civilizimeve.n.p/a.y/noa.al

Kosova e paftuar në samitin e Ohrit, Nishani bojkoton punimet

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit