

Prishtinë 28 Maj 2013 NOA.al/Zëvendëskryeministri i parë i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka thënë se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara mes Serbisë dhe Kosovës janë neutrale para statusit të Kosovës. Sipas tij, këtë e ka përsëritur edhe baronesha Catherine Ashton.
“Në ato marrëveshje ka gjëra që na shkojnë në favor, dhe ka gjëra që nuk na shkojnë në favor. Ka edhe gjëra të vështira që duhet t’i marrim parasysh, por mendoj se nuk ka qenë e mundur më mirë në këtë moment”, ka thënë Vuçiç.
Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshje më 19 prill ndërkaq pajtueshmëri për planin e zbatimit të saj kanë arritur vetëm javën e kaluar. Që të dyja marrëveshjet janë nënshkruar prej kryeminsitrave të të dyja vendeve.
Zbatimi i planit ishte një kusht për Serbinë që të nisë negociatat për anëtarësim me BE-në, ndërsa për Kosovën që të nisë negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
Ndërkaq, Qeveria e Kosovës sot ka dërguar në Kuvend, këtë marrëveshje për ratifikim meqë duhen dy të tretat e votave për t’u bërë e vlefshme./t.k/a.h/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





