

Tiranë, 28 maj 2013, NOA.a- Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani ka lëshuar një deklaratë për mediat nëpërmjet së cilës sqaron se nuk do të jetë pjesë e samitit të krerëve të shtetit të SEECP, i cili do të mbahet në Ohër të Maqedonisë, si shenjë sensibilizimi pas mos dërgimit të ftesës për Kosovën dhe presidenten e saj Atifete Jahjaga.
Në qëndrimin e tij Nishani shprehet se duke e konsideruar bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mire, si shtylla që garantojnë paqen, sigurinë e stabilitetin në rajon dhe parakushte për integrimin e tij në Bashkimin Evropian dhe NATO, Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), mbetet forumi qëndror dhe një nismë unike, bazuar në vullnetin e vetë vendeve të rajonit.
Sipas Kreut të Shtetit, ai duhet të jetë institucioni gjithpërfshirës, ku të gjithë vendet e rajonit të jenë të pranishme dhe të unifikojnë qëndrimet e tyre për problemet e përbashkëta në procesin e zhvillimit dhe integrimit në familjen evropiane dhe jo izolimi dhe përjashtimi, por bashkëpunimi dhe integrimi janë kushtet për suksesin e plotë të misionit të tij.
“Marrëveshjen e 23 Shkurtit 2012 për Përfaqësimin dhe Bashkëpunimin Rajonal, si edhe Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, datë 19 prill 2013, garantuar më Marrëveshjen e Parimeve të Përgjithshme për Zbatimin e Planit të dakordësuar mes Kosovës dhe Serbisë, datë 22 maj 2013, të nënshkruara mes Kryeministrave Thaçi dhe Daçiç në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, sipas të cilave, asnjëra palë nuk do të pengojë dhe nuk do të inkurajojë një palë të tretë të bllokojë përparimin në rrugën e integrimit evropian.
Parimet e Kartës së Procesit të Bashkëpunimit të Europës Jug-Lindore;
Angazhimin e plotë të Republikës së Shqipërisë për të marrë pjesë aktive, dhe konstruktive në të gjitha nismat dhe organizatat rajonale;
Duke respektuar frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe respektit reciprok;
Duke çmuar rëndësinë e zbatimit të angazhimeve të marra nga të gjitha vendet e rajonit për thellimin e zgjerimin e bashkëpunimit rajonal dhe të fqinjësisë së mirë;
Shpreh zhgënjimin lidhur me kushtëzimin destruktiv që i bëhet pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të vendeve të rajonit në Samitin e Ohrit, një veprim i paprecedentë dhe në kundërshtim të plotë me të gjitha marrëveshjet dhe parimet e lartpërmendura; si edhe frymën e dialogut e bashkëpunimit në rajon”, shprehet Nishani në qëndrimin e tij.
Në këtë linjë ai deklaron se në kushtet e thyerjes së atmosferës së mirëbesimit dhe të respektit reciprok, njofton me keqardhje vendimin për të mos marrë pjesë në Samitet e Ohrit të datave 1 dhe 2 qershor.a.y/noa.al
Konferenca e 10-të e kryetarëve të Parlamenteve të SEECP, mungon Kosova
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





