Transmetuar më 28-05-2013, 19:53

Tiranë, 28 maj 2013, NOA.al- Kryeministri Sali Berisha në vijim të vizitës zyrtare në vendin tonë të Drejtorit për Çështjet e Europës Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit te Shteteve të Bashkuara, Jonathan Moore, zhvilloi një takim me të.

Kryeministri shprehu mirënjohje për ndihmën e SHBA-ve ndaj Shqipërisë, ndërsa Moore shprehu interesin e madh me të cilin SHBA ndjekin procesin zgjedhor.

Berisha nënvizoi se fushata zgjedhore ka filluar prej më se dy muajsh dhe ka qenë një fushatë e civilizuar dhe me ecuri normale. Ai shprehu bindjen se të gjitha partitë kanë interes dhe mbështesin një proces zgjedhor me standardet më të larta dhe e garantoi Moore se mazhoranca ka bërë dhe do të bëjë gjithçka për të siguruar këto standarde për zgjedhjet e 23 qershorit.

Kryeministri e njohu diplomatin amerikan me përgatitjet zgjedhore, ku vuri theksin në përmirësimin e madh të kornizës ligjore, infrastrukturës së votimit dhe asaj të numërimit. Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për angazhimin e madh të faktorit ndërkombëtar, e veçanërisht të SHBA në dërgimin e numrit më të madh të mundshëm të vëzhguesve. Kryeministri theksoi se një mision i fortë vëzhgimi i përbërë OSBE/ODIHR, shtetet anëtare të OSBE, Këshilli i Evropës, Parlamenti Evropian, etj, është një garanci e madhe për transparencën e procesit dhe besueshmërinë e rezultatit zgjedhor. Në këtë kuadër, Kryeministri nënvizoi rëndësinë e pranimit të rezultatit nga të gjitha palët.

Në vijim të takimit u diskutua edhe në lidhje me KQZ-në dhe nevojën për plotësimin e vendeve në të. Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë që kjo çështje të zgjidhet sa me shpejt në zbatim të Kodit Zgjedhor.

Në këtë kuadër, Kryeministri u shpreh se, në kushtet kur Kuvendi nuk ka marrë ende vendim për të pranuar dorëheqjet dhe shpallur vakancat e tri vendeve të opozitës në KQZ, anëtarët e dorëhequr mund të rikthehen në detyrë menjëherë. Kryeministri theksoi se mazhoranca është e gatshme që, nëse opozita dërgon kandidatura të reja në Kuvend, t’i votojë ato në seancën e jashtëzakonshme të datës 30 maj.a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit