

Prishtinë, NOA.al – Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi ka qenë kritik në vlerësimin e bashkëpunimit të Serbisë në procesin e quajtur ‘normalizim të marrëdhënieve’. Sipas tij, ajo nuk po bën asnjë hap për t’i normalizuar marrëdhëniet.
"Serbia vazhdon politikën e dy binarëve, në një anë sikur bën marrëveshje me ndërmjetësimin e Brukselit për të ecur në rrugën e integrimeve evropiane, kurse në anën tjetër nuk bën asnjë hap konkret për t’i normalizuar marrëdhëniet me Kosovën", ka thënë Krasniqi, njofton korrespondentja e Noa.al.
Ai ka folur edhe për të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës ku vlerëson se situata nuk është e mirë dhe për mos diskutimin e të drejtave të tyre në dialog e bën përgjegjës edhe Brukselin.
“Ndoshta jo vetëm Prishtina, por siç i përket të drejtave dhe lirive të njeriut dhe të komuniteteve pakicë, konsideroj që edhe Brukseli nuk ka respektuar standarde të njëjta për komunitetet pakicë në Kosovës dhe për komunitete pakicë në Serbi. E konkretisht e kam fjalën për Brukselin, nuk ka qenë këmbëngulës dhe shumë i interesuar që të drejtat dhe liritë që shteti i Kosovës ia ofron komunitetit serb në Kosovë, nuk e ka bërë kërkesën që po këto të drejta t’i gëzonte edhe komuniteti pakicë në Serbi”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Krasniqi paralajmëroi se sfidat e kësaj marrëveshjeje mund të jenë të mëdha. “Sfida për të luftuar grupet kriminale në atë pjesë të Kosovës. Sfida për ta shtrirë sundimin e rendit dhe të ligjit. Dhe sfidë për të funksionuar Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës në tërë hapësirën e Republikës së Kosovës. Dhe natyrisht sfidë tjetër do të jenë pengesat që Serbia i vendosë për Kosovën, qoftë në raport me njohjet e vendeve të Bashkimit Evropian, qoftë pengesat që vazhdon t’i bëjë Serbia sot e kësaj dite në rrugën e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, ka përmendur kryetari i Kuvendit të Kosovës./t.k/o.k/ noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





