Transmetuar më 28-05-2013, 10:56

Tiranë, NOA.al – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i pranishëm në Forumin e perspektivës Ekonomike 2013-2017 dha shpjegime lidhur me pjesën ekonomike të programit të PS.

Në aktivitetin e organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, i pyetur mbi papunësinë dhe mënyrën sesi PS parashikon të krijojë vendet e reja të punës rama argumentoi duke thënë “jemi të vendosur për ta përfshirë detin në ekonomi. Jemi i vetmi vend që jetojmë buzë detit dhe me kurriz nga deti. Në industritë që lidhen me detin ka potencial për 15 mijë vende pune”.

“Besojmë se 11 mijë vende pune mund të krijohen nga politikat e tjera mbështetëse të turizmit. Po ashtu, jemi kundër mënyrës sesi jepet asistenca ekonomike, që në fakt është lëmoshë ekonomike. Atë fond prej 50 milion dollarë ne do ta ndajmë për ata që janë nënë mundësitë fizike për të punuar dhe pjesa tjetër t’i bashkohet një fondi që do të synojë përfshirjen e tyre në punë”, vijoi Rama, citon Noa.al.

Pyetjes se cilat janë fushat e ekonomisë, që sipas koalicionit të majtë do të jenë prioritet i rritjes ekonomike afatshkurtër dhe afatgjatë, Rama i dha përgjigjen; “Modeli i ndjekur deri më sot ka shteruar dhe nuk prodhon më energji të reja dhe as stabilitet financiar. Ne besojmë se ekziston një hapësirë e pashfrytëzuar rurale dhe një plan i mirëkonceptuar për një zhvillim rural, do na jepte mundësinë të ndërtonim nja nga 3 shtyllat e ekonomisë”.

Sipas Ramës, hapi i dytë është një ekonomi prodhuese dhe shtimi i krahut të punës dhe së treti, Shqipërisë i mbetet shumë për të bërë në fushën e shërbimeve, kryesisht në atë të turizmit. Te tria këto së bashku, të para jo si pjesë e një modeli që zhvillohet duke shfrytëzuar konujkturën e re gjeopolitike në hapësirën kombëtare dhe të rajonit. “Besoj se shteti i Kosovës është një partner i rëndësishëm në rrugën tonë ndërmjet rimodelimit të ekonomisë. Marrëveshja Kosovë- Seri është arsye për të parë dritë ne tunel”, nënvizoi Rama.

I pyetur nga moderatori i Forumit mbi krizën botërore dhe ndikimit të saj në vendin tonë, Rama iu përgjigj duke thënë se, çdo krizë duhet të merret si një mundësi dhe një rrugëdalje e re. “Kriza e vendeve fqinjë ka ndikuar mbi Shqipërinë, qoftë nga ardhja e emigrantëve të cilët janë kthyer dhe nuk kanë gjetur kushtet e përshtatshme për punësim ose në formën e rënies së të ardhurave në vendet nga ata vijnë. Ky është një transformim që po pëson bota dhe ku ne duhet të integrohemi. “Është një sfidë e madhe të riorganizosh mjedisin për të rimëkëmbur sipërmarrjen.  Çdo krizë është një mundësi, një shans dhe një rrugëdalje e re dhe ne duhet ta shohim si të tillë dhe besoj se do t’ia dalim. Do të jemi të detyruar të shohim përtej modelit ekonomik të ndjekur deri më sot. Ky model nuk prodhon energji të reja dhe as stabilitet ekonomik dhe financiar”, tha mes të tjerash kryetari socialist, Edi Rama në Forumin e Perspektivës Ekonomike 2013-2017.o.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit