




Sali Berisha, Edi Rama
Shkodër, 27 maj 2013, NOA.al/Arjola Ymeraj- Në vijim të fushatës elektorale dhe prezantimit të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 23 qershorit, Kryeministri Sali Berisha u ndal në Shkodër, ku lista e Partisë Demokratike udhëhiqet nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli.
Gjatë fjalës së tij kreu i demokratëve shprehu bindjen për fitore në 23 qershor, për t’iu hapur rrugë projekteve të reja për mbarë Shqipërinë.
Duke iu referuar reformave dhe procesit të integrimit ai përmendi liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në NATO, duke thënë se statusi i vendit kandidat do të merret së shpejti.
“Shkodrën e bëmë sërish të njohur në mbarë Europën, ku qindra mijëra turistë vizitojnë qytetin e mrekullueshëm dhe pasuritë e saj mahnitëse. Katër vitet që vijnë do të jenë më të bardhat, më të mirat dhe më të begatat në të gjithë historinë. Ju jap fjalën se në katër vitet që vijnë ne do marrim statusin e vendit kandidat, do firmosim për hapjen e negociatave për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian”, u shpreh Berisha citon Noa.al.
Edhe në këtë takim ai tha se në mandatin e ardhshëm do të bëhet gjithçka për të liberalizuar vizat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke u ndalur në alternativën e socialistëve ai tha se kampi tjetër po shëtit në rrugët e Shqipërisë me autobusin mavi, ndërsa duke iu drejtuar Edi Ramës tha se krahasimi i rilindësve me autobusin mavi është fyerje për çdo shqiptar.
“Ndëshkim i madh të pret më 23 qershor. Zoti Rama në autobusin tënd me xhama të zi nuk shëtit vepra e të madhit Sami Frashri, as Noli, por me ty janë dekretet mizore të babait tënd që varte qytetarë vetëm pak vite më parë. Në autobusin tënd janë aktet çnjerëzore të rrënimit të institucioneve kulturore e fetare të kombit shqiptar. Në autobusin tënd shëtit ligësia ndaj çdo shqiptari”, tha ndër të tjera Berisha.
Ai tha se Edi Rama ose është i sëmurë psiqik që fyen mësuesit dhe nxënësit, ose është i lig si i ati, duke thënë, “Je i biri i të atit, apo je i sëmurë psiqik. Shqipëria do të përgjigjet fort”.
Kandidatët e PD për Shkodrën
1. Jozefina Topalli
2. Helidon Bushati
3. Voltana Ademi
4. Nard Ndoka
5. Gjovalin Bzhetaj
6. Ndue Paluca
7. Bardh Spahia
8. Gjok Uldedaj
9. Ramiz Çobaj
10. Irma Kopliku (Alushi)
11. Armir Grimaj.
Rama: Zgjedhja e çdo demokrati duhet të jetë PS
Më herët gjatë së hënës në vijim të takimeve të tij në qarkun e Elbasanit, kryesocialisti Edi Rama u ndal në lagjen Fushë Mbret, nga ku shprehu bindjen se Partia Socialiste do të fitojë thellë.
“Ne e kemi marrë si zotim, këta janë turrur të vënë gjoba kujt të munden, ne jemi shumë të qartë që nga data 1 mars e deri më 23 qershor, ne nuk do të njohim asnjë gjobë, do i falim të gjitha. Po kështu kush hiqet nga puna deri më 23 qershor ne do ti kthejmë të parët në punë. Veçanërisht ata që nuk binden në mitingje. Le të hiqen nga puna se do rrinë pa punë 1 muaj, por do të fitojë punë për 4 vjet”, deklaroi Rama.
Në vijim ai tha se Kavaja e pati deputet Sali Berishën, por ai i shkatërroi me skemat piramidale, ndërsa iu tha se s’keni rrugë për të shkuar në det por se duhet të votonin për të në mënyrë që ai të sillte detin në Kavajë, por paz zhgënjimeve të njëpasnjëshme qytetarët i dhanë votën si ndëshkim në vitin 2011.
Sipas tij zgjedhja e çdo demokrati dhe jo vetëm e socialistëve, duhet të jetë Partia Socialiste dhe programi i saj, duke u zotuar për hapjen e mijërave vendeve të punës dhe dhënien e zanatit për gjithë ata që nuk kanë mundësi të ndjekin universitetet.a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





