

Shkup, 27 maj 2013, NOA.al- Përveç Serbisë, kanë qenë Rumania, Bosnje Hercegovina dhe Greqia që kanë kundërshtuar pjesëmarrjen e Kosovës në Samitin e Ohrit.
Burime pranë presidencës së Maqedonisë thanë për agjencinë e lajmeve Noa.al se ka pasur reagime nga këto vende për të mos marrë pjesë në Samitin e Ohrit, në rast se në të do të ishte ftuar si anëtare e barabartë edhe Kosova, ndërsa presidenti Gjorgje Ivanov kishte për qëllim që në këtë Samit të krerëve të shteteve dhe qeverive të rajonit të ulte bashkërisht presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga me atë serb Tomislav Nikoliç, si dhe takimin që tashmë do realizohet midis presidentit serb Nikoliç dhe atij kroat Ivo Josipoviç.
“U vlerësua se ky Samit do të ishte historik dhe se për herë të parë në të njëjtën tryezë do të uleshin Presidenti i Serbisë dhe ai i Kroacisë, si dhe Presidentja e Kosovës. Përkundër përpjekjeve tona dhe dëshirave nuk kemi arritur që ta realizojmë”, kanë theksuar nga kabineti i presidentit Ivanov, i cili këtë vit kryeson dhe përfundoi me procesin e bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), që mbyllet me Samitin e Ohrit që nis më 1 qershor.
Gjithashtu bëhet e ditur se në përpjekjet për pjesëmarrjen e Kosovës ishte përfshirë edhe Brukseli dhe Uashingtoni. Serbia ka arritur që të shmanget nga prania e saj, në rast se do të ishte edhe Kosova. Ndërsa, pas saj kanë refuzuar njëlloj edhe Bosnjë- Hercegovina, Rumania, Greqia, të cilat akoma nuk kanë njohur Kosovën. Kryetari i presidencës së Bosnje Hercegovinës, Nebojsha Radmanoviç këtyre ditëve hapur kishte paralajmëruar mospjesëmarrjen e Kosovës në rast se do të ishte e pranishme Kosova në Samitin e Ohrit.
Nga kabineti i presidentit Ivanov kanë theksuar se ftesa nuk varej vetëm tek Maqedonia si kryesuese e kësaj radhe, por edhe nga vendet tjera të SEECP, ndërsa nënvizohet se sa më shpejtë të krijohen kushtet Kosova do të jetë partnere e barabartë e SEECP.n.p/a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





