









Nga përurimi i godinës së re të kompanisë Bolv-Oil në Beline, Fier
Marrin pjesë ministri i Transportit, Sokol Olldashi dhe zyrtarë të tjerë të pushtetit qendror e vendor dhe përfaqësues të Bankers Petroleum. Presidenti i kompanisë, Behar Çukaj: Ndihmojmë në rritjen e standardeve
Kompania “Bolv-Oil sh.a.” shënon dhjetëvjetorin e krijimit të saj. Me këtë rast, ditën e shtunë, më 25 maj 2013, ora 19:00 në mjediset e reja të kompanisë, në fshatin Beline, komuna Zharrëz në rrethin Fier, u zhvillua ceremonia e 10-vjetorit të kompanisë, si dhe përurimit të një godine të re, kompleks shërbimesh. Në ceremoninë e moderuar nga gazetarja dhe prezantuesja e mirënjohur, Anjeza Maja, nderonin me pjesëmarrjen e tyre, personalitet nga fusha të ndryshme të biznesit, zyrtarë të institucioneve shtetërore qendrore dhe private, miq e të ftuar të tjerë. Merrnin pjesë gjithashtu ministri i Punëve Publike dhe Transportit, z. Sokol Olldashi, kryetarja e bashkisë Patos, Rajmonda Balili, drejtues të kompanisë Bankers Petroleum, etj.
Bolv-Oil është kompania mëmë e shitjes me shumicë dhe transportit në Shqipëri të karburanteve dhe lëndëve të tjera djegëse. Ajo lindi pas suksesit të Olsi shpk, që operon prej 21 vjetësh në tregtimin me pakicë të karburanteve dhe numëron rreth 400 punonjës. Rreth dy vjet më parë, Bolv-Oil bleu aksionet e shoqërisë Porto Romano Oil Sh.a në Durrës duke zgjeruar më tej aktivitetin me depozitat e karburantit në Porto Romano. Bolv-Oil aktualisht zotëron deri në 30 për qind të tregut të konsumit në Shqipëri dhe rritja progresive vazhdon. Bolv-Oil është partnere me kompaninë prestigjioze kanadeze, Bankers Petroleum, si dhe institucione të tjera në vend dhe ndërkombëtare, publike dhe private. Shërbim tjetër shumë i rëndësishëm i Bolv-Oil është transporti i karburanteve dhe lëndëve të tjera djegëse. Kjo mbështetet nga dhjetëra autobotë të kapaciteteve të mëdha çka e bëjnë Bolv-Oil, partnerin kryesor në fushën e transportit për kompani të ndryshme vendi dhe të huaja, që operojnë në sektorët e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës në Shqipëri.
Presidenti i kompanisë, zoti Behar Çukaj, tha: “Me një punë të palodhur, investime serioze dhe me bindjen për të qenë sa më pranë teknologjisë, kemi arritur të krijojmë të gjithë logjistikën e nevojshme për funksionimin normal dhe me standarde ndërkombëtare të kompanisë. Ne jemi krenarë, që bashkëpunojmë me institucione publike dhe private, në Shqipëri dhe në vende të tjera”. Kompania premton të zgjerojë edhe më tej aktivitetin e saj. Z.Behar Çukaj, tha: “Investimet tona nuk mbarojnë këtu. Ne do të vazhdojmë të jemi pjesë e rëndësishme e aktivitetit në fushën e karburanteve dhe lëndëve të tjera djegëse, duke qenë të bindur se kontribuojmë në rritjen e investimeve në vend, në rritjen e standardeve të tregtimit dhe shërbimeve, si dhe në përmirësimin e jetës së shumë qytetarëve në të gjithë vendin”.
Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, z.Sokol Olldashi, ndër të tjera veçoi faktin se shtatë vitet e fundit është rritur me 2.1 herë më shumë prodhimi i naftës bruto. Më tej ai vlerësoi investimet e Bolv-Oil dhe shtoi: “Sigurimi i politikave që ndihmojnë sipërmarrjen private në këtë sektor, është rruga e duhur për të zhvilluar industrinë nxjerrëse, për të rritur punësimin dhe për të rritur mirëqenien e mijëra familjeve që jetojnë me të ardhurat e të punësuarve në këtë sektor”.
Në kuadrin e përgjegjshmërisë sociale, kompania ka ndikuar në masë të konsiderueshme për zbutjen e papunësisë në zonat ku operon, rritjen e mirëqenies dhe zhvillimit, përmirësimin e infrastrukturës dhe nxitjes së biznesit. Kompania jep kontributin e saj edhe me ndihmë financiare të vazhdueshme dhe ndihma ushqimore, për familje të varfra në qarkun Fier.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





