Transmetuar më 26-05-2013, 18:31

Vlorë, 26 maj 2013, NOA.al- Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama nga ambientet e Pallatit të Kulturës në Vlorë, u ndal në një bashkëbisedim me pedagogë dhe studentë.

Gjatë fjalës së tij kryesocialisti deklaroi se universitetet shqiptare janë të masivizuara, duke shtuar se vendi ynë ka numrin më të madh të universiteteve private se në gjitha vendet e Bashkimit Europian.

Në vijim ai u ndal në mungesën sipas tij të standardeve si pasojë e mungesës së një sistemi akreditimi për universitetet, ndërsa u zotua se gjatë qeverisjes socialiste do të përmirësohet cilësia e arsimit.

Sipas tij duhen shkolla profesionale për të pasur një zanat, për gjithë ata që nuk duan apo nuk kanë mundësi të ndjekin universitetin.

Rama tha se duhet kthyer konkurrueshmëria për hyrjen në universitete, në mënyrë që të mbështetet çdo talent dhe individ i aftë, duke u rritur kështu cilësia.

Ndër të tjera shefi i opozitës nënvizoi se gjatë qeverisjes socialiste, partitë politike nuk do kenë lidhje me universitetet dhe shkollat, duke theksuar se universitetet do të jenë në përputhje dhe të lidhur me kërkesat e tregut.

Matura Shtetërore

Rama tha se sistemi i maturës shtetërore duhet të ndryshojë në funksion të një sistemi më rigoroz dhe selektiv.

“Ne do të synojmë që universitetit t’i japim cilësi dhe jo sasi. Duke e filluar këtë që nga sistemi i Maturës Shtetërore që duhet të ndryshojë në funksion të një procesi që duhet të jetë shumë më rigoroz e selektiv për hapjen e dyerve të universiteteve”, – u shpreh z.Rama.

Më tej ai përforcoi: “Ne do ta ndryshojmë sistemin e maturës shtetërore. Matura shtetërore duhet të vlejë për të vlerësuar se sa ka marrë në vitet që kanë shkuar nxënësi, ndërkohë që hyrja në universitet është një proces tjetër. Nuk është i njëjti proces. Kështu e shohim ne këtë punë”. a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit