

Tiranë, NOA.al/Redaksionale – Kusht pas kushti ka shkuar edhe një herë “epopeja” e tre ligjeve. Qeveria sugjeron që ato të kalojnë për votim në Parlament bashkë me amnistinë fiskale, kurse opozita e refuzon.
Në këtë mënyrë kemi një zinxhir kushtesh që ca pranohen e ca refuzohen. Berisha pranoi kushtin e shpallur nga Ilir Meta pasi iu bashkëngjit PS-së që ligjet të hyjnë në fuqi në shtator. Ky kusht u përforcua dhe nga Rama dhe u deshën disa javë që Berisha të shpallte se edhe ai ishte dakord.
Të dielën, Kryeministri Berisha njoftoi se po i kërkon Kuvendit te Shqipërisë të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për miratimin e tri ligjeve dhe amnistisë fiskale.
Siç edhe shihet, dakordësia e Berishës u shoqërua me një kusht të ri, që u inspirua nga deklaratat e z.Rama mbi gjobat ndaj bizneseve. Ndërsa Rama tha se nuk do të njihen nga shteti gjobat e prera nga 1 marsi 2013 e tutje nëse fiton opozita, Berisha e shfrytëzoi këtë premtim elektoral, duke shpallur rizgjimin e amnistisë fiskale që kohë më parë nuk ishte pranuar të votohej nga opozita. Meqë duheshin tre të pestat e votave në Parlament, ai draft nuk u kthye kurrë në ligj për zbatim.
Kryeministri tha se ka ushtruar kompetencën e tij kushtetuese duke i kërkuar, me anë të një shkrese, Kuvendit të Shqipërisë të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme më 30 maj 2013, për të votuar tri ligjet e kërkuara nga BE-ja për dhënien e statusit të vendit kandidat si dhe ligjit të amnistisë fiskale.
Me këtë kërkesë, z. Berisha thotë se kërkon t’i japë opozitës edhe një mundësi tjetër para zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, që t’i bashkohet vullnetit të palëkundur të mazhorancës qeverisëse për miratimin e tyre dhe zhbllokimin e rrugës së integrimit europian të vendit.
Duket se edhe sot, opozita është kundër amnistisë fiskale. Këtë e shpalli në emër të PS, deputetja Vasilika Hysi, ish drejtore e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
“Të mos e ngatërrojë votimin e tre ligjeve me premtimet e tjera elektorale. Nëse duam integrimin e Shqipërisë në BE, le të votojmë paketën e kompromisit një orë e më parë, pa i ngatërruar tre ligjet me amnistinë fiskale”, -tha zonja Hysi.
Nga ana tjetër, zonja Hysi, duke pasur frikë ndoshta se mos kemi të bëjmë me ndonjë “puç” nga ana e kryeministrit, theksoi të dielën në daljen për mediat se “Partia Socialiste është e gatshme t’i votojë të tre ligjet vetëm nëse pala tjetër e pranon kompromisin e ofruar nga opozita. I votojmë të tre ligjet, se pala tjetër, është dakord që këto tre ligje të hyjnë në fuqi vetëm pas konstituimit të Parlamentit të ri që do të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit”, – tha Hysi, duke bërë thirrje që “mos e ngatërrojë votimin e tre ligjeve me premtimet e tjera elektorale”.
Duket se theksimi i këtij kushti nga PS, vjen pasi në njoftimin e Berishës nuk përmendej votimi i tre ligjeve me kusht hyrjen në fuqi në shtator por vetëm kalimi i tyre për votim.
Në të njëjtën kohë, ne i bëjmë thirrje Sali Berishës për ta mbajtur çështjen e integrimit europian larg fushatës elektorale. /noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





