

Disa ngjarje që kanë ndodhur në kontinentin europian kohët e fundit kanë të bëjnë me çështjen e të ashtuquajturave martesa gay e në përgjithësi me të drejtat e gay-ve dhe kanë tërhequr vëmendjen.
Nga Gjergj Meta
Në Francë miratohet mundësia e martesave gay e po në Francë një shkrimtar francez vret veten në shenjë proteste ndaj këtij ligji, në Katedralen e Notre Dame të Parisit. Në Angli, Kryeministri Cameron arriti t’i rrëmbejë një “po” Parlamentit për një ligj të mundshëm mbi martesat gay për vitin 2014. Në Skoci, këto ditë Kisha Presbiterane arrin të miratojë mundësinë e zgjedhjes nga ana e bashkësive të këtij denominacioni, të pastorëve me prirje homoseksuale për t’u prirë atyre. Një panoramë e tillë jo vetëm e hap debatin, por e përforcon atë në avantazh sigurisht të lobimit gay në shumë vende të Europës, përfshi këtu edhe Shqipërinë që jo pak herë është përfshirë nga ky debat. Realiteti dhe ambienti shqiptar, edhe pse në thelb nuk është i përgatitur për një debat të tillë, herët a vonë do t’i duhet të përballet seriozisht. Kjo do të ndodhë jo aq tani, që janë hapa më shumë parimorë apo emocionalë, se sa kur të hidhen hapa konkretë nga ndonjë mazhorancë x që të avancojë propozime konkrete për çështjen e konfigurimit të lidhjes gay si martesë me të drejtat e njëjta me ato të një çifti heteroseksual. Atëherë, sigurisht, të gjithë zërat kundër do të jenë pa zë, pasi forca e kartonëve e ngritur në nivel absolut do të bëjë të pafuqishme çdolloj mosdakordësie. Edhe demokracia nganjëherë kthehet në diktaturë kartonësh…
Por pa arritur ende aty e pa dashur të projektohem në të ardhmen vetëm thjesht me spekulime, duke parë këto skenarë e shumë të tjerë që vihen në dukje, më vjen të mendoj natyrshëm disa gjëra.
Së pari që kjo çështje e shumë të tjera nuk mund të zgjidhen, të mbështeten apo të kundërshtohen me dhunë e imponim. Vetëvrasja e shkrimtarit Dominique Venner pak ditë më parë në altarin e Katedrales së Notre Dame është pikërisht e njëjta strategji dhune si ajo e kartonëve që ndërhyjnë në tema që në vetvete nuk mund të përcaktohen prej tyre. Në blogun e tij në internet shkrimtari kishte paralajmëruar gjestin e tij me qëllim që të “rizgjojë ndërgjegjet”, duke bërë thirrje edhe për një “reformim të thellë intelektual”, gjë të cilën, sikurse dikush thoshte në shtypin e huaj, as ai vetë nuk e ka besuar derisa ndërmori një gjest aq ekstrem. E të mendosh nga ana tjetër edhe persona me prirje homoseksuale që kanë bërë këto lloj protestash deri në vetëvrasje, pasi nuk kanë qenë të pranuar, janë fshehur, nuk janë kuptuar apo janë diskriminuar a përndjekur apo dhunuar. Por edhe këta në fakt çështjen nuk e kanë zgjidhur, pasi dhuna e vetëvrasja janë shprehje e dhunës ndaj vetes, e nuk sjellin kurrë gjë të mirë.
Së dyti, çështja e martesave gay është një çështje thelbësisht e ndryshme prej çështjes së diskriminimit të personave me prirje homoseksuale. Nëse ne nuk do të bëjmë këtë dallim thelbësor, gjithnjë e më shumë do të ketë fanatikë nga njëra anë e nga tjetra mbi këtë çështje. Unë jam i bindur se ngritja e lidhjes gay në nivelin juridik të martesës, së bashku me disa dukuri të tjera si divorci apo bashkëjetesa, është rruga drejt vetëvrasjes së realitetit të martesës rrjedhimisht të familjes që është e themeluar mbi të e patjetër e shoqërisë, qelizë e së cilës është familja. Lobet e ndryshme gay edhe në Shqipëri, herët a vonë, do të kërkojnë këtë gjë, anipse e nisin me kërkesat e ligjshme për mosdiskriminim. Nga ana tjetër, diskriminimi i dikujt për shkak të prirjes së tij seksuale të ndryshme, në lidhje me të drejtën e tij për pjesëmarrje në jetën publike çon po ashtu në shtegun e padrejtësive të mëdha.
Sigurisht, kjo çështje sa herë të kthehet e të rikthehet në publik, do të ketë debat shumë të madh. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se modelet tradicionale të konceptimit të gjërave dalëngadalë po zbehen, pasi postmoderniteti edhe në çështje të tilla ka ndikimin e vet të pashmangshëm. Një qasje e re ndaj jetës së njerëzve të cilët shpesh fshehin e përjetojnë drama, të cilat shkaktohen nga papërgjegjshmëria e atyre që na rrethojnë apo që ne rrethojmë, kërkohet sot. Ajo çka i përket thelbit të ndërtimit të jetës, atë çka unë besoj se Zoti ka vendosur në natyrën e njeriut, nuk ka postmodernitet që e ndryshon, por sigurisht qasja ndaj njëri-tjetrit e grupeve të interesit e personave në radhë të parë, duhet të jetë ai dialogues duke mësuar nga e kaluara e barrikadave që vetëm dëmtojnë shoqërinë njerëzore. Në fakt, shpesh situata të tilla janë periferi ekzistenciale me të cilat abuzohet në një mënyrë, a në një tjetër. Dikush i përjashton e dikush i përdor për mbushjen e programeve, realizimin e synimeve ideologjike etj. Në Kishën Katolike, e vetëm në të ndoshta, njeriu me orientim homoseksual quhet person homoseksual, çka do të thotë se atij i përket i njëjti dinjitet si i të gjithë njerëzve në këtë botë. Këtë dinjitet nuk ia jep asnjë ligj, ligji vetëm e pranon si të tillë. Ngatërrimi i këtij dinjiteti ama me mëtimin e natyrshmërisë së një prirjeje, janë sigurisht larg njëri-tjetrit e meritojnë të merren në shqyrtim në debat, por edhe kur dikush të ngrejë kartonët për miratim ligjesh.
"MAPO"
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





