

Tiranë, 26 maj 2013, NOA – Kryeministri Sali Berisha i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për miratimin e tri ligjeve që lidhen me marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE dhe amnistinë fiskale.
Me anë të një shkrese dërguar Kuvendit të Shqipërisë, Kryeministri kërkon që Parlamenti të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme më 30 maj 2013.
“Kërkesën e mësipërme, si Kryeministër i Shqipërisë, e paraqes jo vetëm si shenjë të vullnetit tim të palëkundur e të vazhdueshëm për ti shërbyer vendit në plotësimin e kushteve për marrjen sa më parë të statusit të vendit kandidat për në BE, por edhe duke besuar se më në fund, pas bllokimit të statusit të vendit kandidat nga opozita në Kuvendin e Shqipërisë, duke mos dhënë konsensusin për propozimet që ndodhen prej kohësh në Kuvend ajo do të marrë përgjegjësinë që i takon, duke hequr bllokimin e statusit të vendit kandidat, ndonëse e lanë Shqipërinë pa këtë status për më shumë sesa një vit”, shprehet Kryeministri në kërkesën e tij.
Berisha argumenton se kërkesa për miratimin e ligjeve lidhet dhe me çështjen e referendumit të propozuar nga Partia Demokratike. Ai shprehet se miratimi i ligjeve “do ti kursente vendit koston e 6 milionë dollarëve për zhvillimin e referendumit për miratimin e tre ligjeve”.
a.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





