

Gjermani, 26 maj 2013, NOA – Bayern i Mynihut mundi mbrëmë në finale Borusian e Dortmundit, duke fituar për herë të pestë në historinë e klubit bavarez titullin e kampionëve të Europës. Për trajnerin e Bayern, Jupp Heynckes, fitorja ishte e merituar. Ndërsa personalisht e ka cilësuar si mënyrën më të mirë për ti dhënë fund karrierës.
Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, 68-vjeçari komentoi se skuadra e tij ishte e destinuar të fitonte.
“E kuptoj zhgënjimin e tyre, pasi humbën një finale, por në karrierën e një futbollisti dhe trajneri, ka gjithmonë ulje e ngritje. Pas humbjes në finalen e vitit të shkuar, duket sikur ishte fati ynë, sikur ishim të destinuar që të fitonim për sivjet. Ky ekip ka një meritë të jashtëzakonshme që pas atij zhgënjimi, u rikthye më i fuqishëm se kurrë sivjet”, tha Jupp Heynckes.
Ai shtoi se skuadra ishte e vendosur që të fitonte. “Thjesht kishte ardhur momenti për Bajernin, për lojtarë si Robben apo Ribery, që tashmë nuk janë më të rinj”, tha Heynckes.
a.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





