

Shkup, 25 maj 2013, NOA.al- Më shumë se 66% e maqedonasve vlerësojnë se Serbia është vendi më miqësor ndaj Maqedonisë, ndërsa mbi 66% mendojnë se Shqipëria nuk është vend miqësor me Maqedoninë.
Anketa është realizuar nga Instituti për hulumtimin e opinionit publik “Dimitrije Çupovski” nga data 17- 21 maj, ku janë anketuar 1050 anketues, ndërsa hulumtimi kishte për bazë të analizojë perceptimet dhe qasjet e qytetarëve ndaj vendeve fqinje si dhe marrëdhëniet ndërfqinjësore.
Sipas anketës, 66% e maqedonasve vlerësojnë se Shqipëria është një vend me qasje armiqësore ndaj Maqedonisë, ndërsa 79.8 për qind e shqiptarëve në Maqedoni kanë theksuar të kundërtën.
Serbia qëndron si vendi më miqësor dhe më i afërt për maqedonasit, sa i përket qasjes dhe fqinjësisë së mirë. Në pyetjen për Serbinë, se sa ky vend ka qasje miqësore ndaj Maqedonisë, mbi 66% e maqedonasve kanë dhënë përgjigje pozitive, 28% përgjigje negative. Ndërsa shqiptarët lidhur me këtë pyetje, 56% mendojnë se Serbia ka qasje jomiqësore ndaj Maqedonisë, ndërsa 26% kanë theksuar se Serbia ka qasje miqësore ndaj Maqedonisë.
Sa i përket Bullgarisë, 23.5% e maqedonasve mendojnë se ky vend ka qasje miqësore dhe partneriteti me Maqedoninë, ndërsa mbi 36% e shqiptarëve janë shprehur pozitivisht lidhur me Bullgarinë si vend mik. Rreth 64% e maqedonasve kanë theksuar se Bullgaria ka qasje armiqësore ndaj Maqedonisë.
Lidhur me raportet me Greqinë, 86% e të anketuarve maqedonas kanë theksuar se ky vend ka qasje armiqësore dhe jomiqësore ndaj Maqedonisë, ndërsa shqiptarët janë shprehur 72% rreth kësaj pyetje. Vetëm një pakicë e të dyja komuniteteve prej 6 dhe 9% kanë vlerësuar se Greqia ka qasje miqësore ndaj Shkupit.
Në pyetjen se cilët nga këto vende kanë qëllime të mira ndaj Maqedonisë, 60% janë shprehur pro Serbisë, 0.5% për Shqipërinë, 4.5% për Bullgarinë, 0.5% për Kosovën, 0.6% për qind për Greqinë, etj.n.p/a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





