Transmetuar më 25-05-2013, 12:42

Drejtori për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore pritet të mbërrijë javën e ardhme për një vizitë në Tiranë, vetëm 1 muaj nga vizita e fundit në Shqipëri, e cila përkoi me dorëheqjen e tre anëtarëve të KQZ.

Plotësimi i vendeve vakant në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pritet të jetë pjesë e bisedimeve gjatë takimeve që Moore pritet të zhvillojë me zyrtarë të lartë në vend, shkruan Zëri i Amerikës.

Gjatë vizitës së fundit në Tiranë muajin e shkuar, Moore, në një konferencë shtypi në Ambasadën Amerikane, deklaroi se "Shtetet e Bashkuara duan të shohin KQZ-në të funksionojë".

Pak ditë më parë, Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, pas një takimi me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, në selinë e PS-së, shprehu shqetësim për mosfunksionimin e plotë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

"Një çështje me shqetësim për SHBA-në, komunitetin ndërkombëtar, përfshi edhe vetë shqiptarët, mbetet funksionimi i plotë i KQZ-së. Ne vijojmë të jemi të frustruar nga fakti se KQZ nuk është plotësisht e konstituuar, në kushtet e mosfunksionimit të plotë. Ne vijojmë të bisedojmë me miqtë tanë të besuar dhe partnerët, duke tentuar për të kuptuar nëse ekziston mundësia që partitë të punojnë së bashku për të bërë të mundur konstitutimin e plotë të KQZ-së në mënyrë që të jetë plotësisht funksionale, për t’i shërbyer nevojës së zgjedhjeve", tha Arvizu për mediat.

Pas dorëheqjes në muajin prill të tre anëtarëve të KQZ-së të propozuar nga opozita parlamentare, Komisioni Zgjedhor vijon punën me 4 anëtarë. o.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit