Transmetuar më 24-05-2013, 21:13

Prishtinë 24 Maj 2013 NOA.al- Organizata e Veteranëve të UÇK-së ka paralajmëruar një protestë për të hënën kundër këtyre veprimeve të EULEX-it. Protesta ku është paralajmëruar të marrin pjesë qytetarë nga të gjitha rajonet e Kosovës, do të nisë në orën 11:30 te parkingu i Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Por kundër arrestimeve ka reaguar edhe Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi. “Kërkoj dhe pres që EULEX-i të veprojë drejt në rastin e dyshimeve për krime lufte ndaj ish-komandantëve dhe ushtarëve të UÇK-së”, ka thënë ai. Thaçi është shprehur i bindur se sikurse në Hagë dhe në Prishtinë, edhe këtë herë këto pretendime do të dalin të pabazuara.

Ndaj arrestimeve të djeshme kanë reaguar edhe subjektet politike, të cilat thonë se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër.

Ndërkohë para ndërtesës së gjykatës janë mbledhur një numër qytetarësh, të cilët po kundërshtojnë arrestimet e ish-komandantëve të UÇK-së.

Kurse brenda kësaj ndërtese po qëndrojnë ish-komandanti i TMK-së, tani ambasador i Kosovës në Shqipëri,  Sylejman Selimi, bashkë me kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku, si dhe katër ish-komandantë të tjerë të UÇK-së janë në gjykatë. Ata po  merren në pyetje nga një gjykatës i EULEX-it për dyshimet lidhur me kryerjen e krimeve të luftës. Gjykatësi pritet që të marrë vendimin nëse ambasadorit Selimi dhe ish-bashkëluftëtarëve të tij do t’u shqiptohet masa e paraburgimit, apo do të lihen të lirë.

Shtatë të dyshuarit akuzohen se në kundërshtim me rregullat kanë bërë arrestime, torturime dhe trajtime çnjerëzore gjatë luftës në Kosovë./t.k/a.h/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit