

Fushë Krujë, NOA.al – (update) Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama tha sot në takimin zgjedhor të Fushë Krujës se, arsimtarët, veçanërisht drejtorët e shkollave po shfrytëzohen në këtë fushatë nga qeveria për të ushtruar presion vote mbi mësuesit dhe nxënësit. “Për të gjithë drejtorët e shkollave, kam vetëm një fjalë, lëreni Saliun se nuk e mbani dot në majë të fikut dhe shikoni Kushtetutën dhe ligjin, interesin e punës dhe familjes tuaj. Çdo drejtor shkolle që do të përfshihet në fushatë duke bërë presion mbi nxënësit e mësuesit do të përballet me ligjin më 23 qershor”, tha ai, citon Noa.al.
I kënaqur nga entuziazmi në qendër të Fushë- Krujës, Rama tha se, “jam i kënaqur që ne kemi ardhur sot këtu me dy deputetë që përfaqësojnë eksperiencën e gjatë dhe ndershmërinë tek Namik Dokle dhe energjinë e jashtëzakonshme të rinisë së këtij rrethi, tek Artur Bushi”.
Në 23 qershor, theksoi Rama, të gjithë ju që jetoni me një biznes të vogël, keni mundësinë e madhe që duke i vënë kryq PS-së në fletën e votimit keni mundësinë të përgjysmoni taksën e sheshtë e të çoni më shumë lekë në shtëpitë tuaja.
“Në 23 qershor në pak sekonda duke vendosur një kryq aty ku shkruan PS t’i jepni vetes certifikatën e tokës. Për të gjitha ata që janë të pafuqishëm para çmimeve të ushqimeve, bëni zero taksën e sheshtë të Saliut për vezët, mishin, ushqimin dhe ilaçet”, premtoi mes të tjerash kreu i opozitës.
Me një kryq tek PS në fletën e Votimit, sipas Ramës “të gjitha ata që punojnë tokën do të bëjnë zero akcizën e naftës, do heqin taksën për plehrat kimike dhe do të financojnë pesëfish bujqësinë dhe blegtorinë”. Po ashtu, Rama njoftoi se “do të bëhen pjesë e programit 165 milion dollarë për të mos lejuar më përmbytjen e tokës së bukës”.
Në vijim të fjalës së tij, Rama nënvizoi “duke vendosur një kryq aty ku shkruhet PS çdo njeri nga banorët e këtij rrethi ashtu si të gjithë Shqipërisë që jeton me një rrogë do t’i ulë vetes taksën mbi fitimin dhe do të vërë në jetë taksën tonë të fitimit të ndershëm dhe do të çojë në shtëpi një rrogë më shumë. Shkurt me PS shqiptarët do të ulin taksat për 95 % të njerëzve të këtij vendi”, vijoi Rama.
“Këta janë duke ikur dhe si i mbyturi kapen pas fijes së barit, një nga mënyrat më të ulëta që po përdorin është gjobitja e fshatarëve të shkretë që jetojnë me drutë e pyllit, gjobitja e sipërmarrësve, kurse unë ju them, asnjë gjobë që është vënë nga 1 marsi ne nuk do ta njohim dhe çdo gjobë që merrni nga 1 marsi mbajeni si certifikatë të opozitarizmit të këtij pushteti të marrë fund”, mbylli kryetari socialist fjalën e tij në takimin elektoral të Fushë-Krujës. o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





