Transmetuar më 24-05-2013, 17:29

Prishtinë, NOA.al – Lëvizja Vetëvendosje! ka reaguar kundër arrestimeve për krime lufte. Ata përmes një komunikate kanë kritikuar EULEX-in.

“Lëvizja Vetëvendosje! në vazhdimësi e ka kundërshtuar dhe kontestuar EULEX-in si një mision jodemokratik i cili nuk u jep llogari as popullsisë dhe as institucioneve vendëse mbi të cilët ka dhe ushtron fuqi ekzekutive të pakufizuara në kohë dhe gamë, ndërkohë që zyrtarët e EULEX-it kanë imunitet prej ligjit në Kosovë”, thuhet në reagimin e kësaj lëvizjeje, raporton Noa.al.

Në deklaratë po ashtu flitet edhe për faktin që EULEX-i nuk e njeh Republikën e Kosovës dhe pavarësinë e shtetit, UÇK-në dh luftën çlirimtare, “nuk kemi si të besojmë a shpresojmë që ai mund të ndajë drejtësi”. Akuzat e burgosjet e fundit të ish pjesëtarëve të UÇK-së nuk janë  të parat e as të fundit. “Statusi, misioni, qëndrimi dhe qasja e EULEX-it ndaj vendit, popullit e historisë sonë edhe s’mund të prodhojnë diçka tjetër edhe detyrimisht e politizojnë gjyqësinë dhe drejtësinë”, thuhet më tej në reagim.

VV nënvizon se EULEX-it që mësyn gjithkujt përveç kreut të korrupsionit e krimit (i cili gjithsesi është qeveritar) pikërisht që të mos prek vetë majat e krimit.

“Lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë. Qeveria e Kosovës nuk po e mbron këtë luftë as si histori e lavdishme, as si koncept politik e vizion kombëtar, dhe as pjesëtarët e saj. Përkundrazi, Kryeministri i Kosovës merret vesh me Kryeministrin e Serbisë për Autonominë e serbëve brenda Kosovës që do të dirigjohet nga Serbia me ç’rast kriminelët e strukturave paralele të Serbisë do të amnistohen e integrohen në kuadër të sistemit e institucioneve tona.”, thuhet më tej në këtë reagim./t.k/o.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit