Transmetuar më 24-05-2013, 17:04

Prishtinë, NOA.al –Seanca për të akuzuarit për krime lufte në  “Grupin e Drenicës” po vazhdon edhe në orët e pasdites. Lista e të dyshuarve është zgjeruar pasi në gjykatë është sjellë komandanti i stacionit jugor të policisë në rajonin e Mitrovicës, Avni Zabeli.

Ndërkaq, prokurori i rastit Maurizo Salustro ka kërkuar paraburgim për të gjithë të dyshuarit.

Në Gjykatën e Apelit në Prishtinë gjatë ditës janë paraqitur ish komandantët e UÇK-së kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku, pas tij një nga një edhe Sahit Jasharin, Jahir Demaku, Zeqir Demaku dhe Hysni Thaçi.

Ndërkaq, pak më vonë i shoqëruar nga policët e EULEX-it ka mbërritur edhe ambasadori i Kosovës në Tiranë Sylejman Selimi. Me ta janë parë edhe avokatët mbrojtës të tyre.

Vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake i cili pritet të publikohet pas disa orësh, para gjykate po e presin edhe shumë bashkëluftëtarë dhe bashkëqytetarë të Lushtakut e Selimit. Paraqitjen e tyre para gjykatës, ata e kanë pritur me duartrokitje, duke e konsideruar atë si të pafajshëm për hetimet që po zhvillohen.

Përveç Selimit,  i cili ka mbërritur sot nga Tirana, pesë të tjerët, përfshirë këtu edhe Lushtakun, natën e kanë kaluar prapa grilave në stacionin policor Qendra në Prishtinë.

Ndaj “Grupit të Drenicës” është ngritur dyshimi për krime lufte, të supozuara te kenë ndodhur në Likovc të Skenderajt, në vendin ku ishte Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë./t.k/o.k.noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit