




Manastir, NOA.al – Në qytetin e Manastirit persona të panjohur kanë dhunuar dhe thyer Shtëpinë Muze të Kongresit të Alfabetit të gjuhës shqipe.
Sulmi ku janë shkaktuar dëme të mëdha materiale, ka ndodhur rreth orës katër të mëngjesit. Policia është në vendin e ngjarjes, ndërsa po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e rastit.
Drejtori i Shtëpisë Muze të Alfabetit të Gjuhës Shqipe, Gazmend Hoxhaj deklaroi se, ky akt vandal krijon një imazh të keq për qytetarët e Manastirit dhe këto tentime nuk mposhtin këtë institucion vlerash kombëtare dhe historike shqiptare.
“Dokumentet që janë brenda nuk janë dëmtuar. Kemi formuar komision për të vlerësuar dëmet dhe kemi përfunduar punët dhe kemi arritur të vlerësojmë dëmin. Dëmi më i madh është që dikush me këtë akt ka dashur të dërgojë ndonjë porosi. Por ata kanë gabuar me këtë porosi, sepse në këtë mënyrë nuk dërgohen mesazhe. Kjo nuk i ka hije qytetarisë së tillë manastirase. Kjo është një porosi për të rrënuar bashkëjetesën, mirëpo i bëjmë me dije se ata nuk mund të na mposhtin”, theksoi për Noa.al, drejtori i këtij muzeu, Gazmen Hoxha.
Qeveria e Maqedonisë sot ka dënuar ashpër aktin e tillë që e ka quajtur vandalist. "Qeveria me këtë rast e informon opinionin se institucionet e sistemit do t’i ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme për ndriçimin e rastit, gjetjen e kryerësve dhe dërgimin e tyre para drejtësisë", deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Muhamed Hoxha.
Sipas tij, janë ndërmarrë masat për riparimin urgjent të dëmeve të shkaktuara ndaj pasurisë kombëtare dhe historike në këtë muze.
Shoqata e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni, reagon ashpër ndaj aktit vandal të sulmit të sotëm ndaj Muzeut të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir. “Vlerësojmë se ky akt i ulët qyqar i qarqeve të caktuara maqedonase, të ushqyer me albanofobi të skajshme, edhe më tepër prishë marrëdhëniet ndëretnike që me aq mund po mundohemi t`i krijojmë si shoqëri shumetnike. Ky akt është aq më i rëndë kur ndodhë pikërisht sot kur bota sllave shënon Ditën e Shën Kirilit dhe Metodit, të cilët kishin luftuar me mish e me shpirt për arsimimin e atyre të cilët përdhunojnë objekte të shenjta të arsimit të një populli me gjuhë tjetër. I bëjmë thirrje zyrtarëve të Tiranës dhe Prishtinës si dhe përfaqësuesve të shqiptarëve në Maqedoni, o të vihen në mbrojtje të trashëgimisë kulturore e historike ose të deklarohen publikisht se heqin dorë nga kujtesa historike dhe kodi i identifikimit të identitetit shqiptarë sikurse është muzeu i Kongresit të alfabetit”, thekson SHHSHM. /n.p/o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





