Transmetuar më 24-05-2013, 14:39

Spektakli i bukurisë Miss Shqipëria është tashmë në start, në edicionin e tij të 15 që këtë vit organizohet, në parkun arkeologjik Bylis.

Këtë vit në dyert e Deliart Assocation kanë trokitur më shumë se 180 vajza që ëndërrojnë kurorën e bukurisë. Tani është faza e seleksionimit dhe nga gjithë kjo prurje do të veçohen vetëm 31, si çdo vit tjetër, të cilat do të garojnë për kurorën e më të bukurës së trevave shqiptare.

Edhe sivjet ka shumë pretendente nga diaspora", thotë producenti Bozo, i shkëputur për një çast, deri sa vajza e radhës të bëhet gati. "Kanë ardhur nga Italia, Greqia, Gjermania, Zvicra, pa diskutuar këtu pjesëmarrëse nga të gjitha qytetet e Shqipërisë".

Ka edhe një risi tjetër këtë vit: për herë të parë, faza e seleksionimit do të kryhet edhe në Prishtinë. Të hënën e 27 majit grupi organizator do të vendoset në Golden Restorant dhe në bashkëpunim me Blodin Karaxhën, drejtues i agjencisë "B Model", në Prishtinë do të përzgjidhen vajzat nga Kosova, pjesëmarrëse në këtë event. "Mendoj se sivjet do të kemi të paktën 3-4 vajza nga Kosova", thotë Bozo.

Do të organizohet turi nëpër trevat historike dhe turistike, ndërkohë që mbrëmjen e 22 qershorit, vendi që do të mirëpresë bukuroshet shqiptare do të jetë parku arkeologjik i Bylisit, Komuna e Hekalit në Ballsh. "Iniciator këtë vit u bë Neritan Ceka", thotë Bozo. "Ai ka bërë disa studime atje dhe na propozoi të udhëtonim në këtë destinacion këtë vit. Bylisi është një vend shumë i bukur, populli është shumë mikpritës për të mos folur pastaj për historinë e jashtëzakonshme që ruhen në rrënojat e tij.

“I vetmi problem për ne është se po përballemi më vështirësi teknike. Mungon energjia elektrike në Bylis, pra ka probleme për ngritjen e skenës, gjë që e bën më të vështirë punën e produksionit, krahasuar me vitet e tjera. Megjithatë komuna ka ngritur një grup pune dhe ka vënë në dispozicion të gjitha mjetet që disponon në mënyrë që gjithçka të shkojë mirë”, vijoi regjisori Bozo. o.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit