

Shkup, 24 maj/NOA.al – Nënkryetari i delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, eurodeputeti slloven Jelko Kacin theksoi se është i shqetësuar për zhvillimet në Maqedoni.
Ai këtë mesazh e ka dhënë për mediat në Maqedoni, pasi që Parlamenti Evropian i dha dritë jeshile Rezolutës për Përparimin e këtij vendi në planin e integrimeve në BE.
“Është koha e fundit që liderët maqedonas të përballen me faktin se debllokimi i integrimit të vendit të tyre varet plotësisht tek ta”, theksoi Kacin duke shprehur shqetësime për lirinë e mediave dhe mungesën e dialogut midis pushtetit dhe opozitës.
Sipas tij, liderët politik të këtij vendi duhet të bëjnë çmos që është në fuqinë e tyre për të siguruar të ardhmen evropiane të vendit të tyre, ashtu që duhet arritur kompromisi për çështjen e emrit me Greqinë.
Eurodeputeti slloven Kacin theksoi se kryeministri Nikolla Gruevski dhe ai grek Samaras duhet të mësojnë shumë nga episodi i arritjes së marrëveshjes midis kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij serb Ivica Daçiç. Kacin gjithashtu tha se liderët e Maqedonisë duhet të investojnë më shumë për përparimin e marrëdhënieve ndëretnike në vend.
n.p/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





