

Tiranë, NOA.al – Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë shprehet i shqetësuar në lidhje me transparencën e burimeve financiare që përdoren nga subjektet elektorale veçanërisht përgjatë fushatës zgjedhore.
Koalicioni e konsideron transparencën e financimit të subjekteve elektorale si një element kyç për një proces zgjedhor ligjor, transparent dhe të barabartë, citon Noa.al një deklaratë të bërë publike në media.
Koalicioni vëren se “Kuadri ligjor për partitë politike ka pasur përmirësime për sa i përket financave, duke siguruar në mënyrë të plotë auditim të veçantë edhe përgjatë vitit kalendarik, edhe përgjatë fushatës zgjedhore.”
Por, as legjislativi dhe as KQZ në udhëzimet e miratuara nuk i japin audituesit të gjitha mjetet e nevojshme për ta përdorur këtë hapësirë dhe liri në punën e tyre. Koalicioni thekson se, “nga monitorimi në vazhdimësi i proceseve zgjedhore të 2009 dhe 2011, dhe të auditimeve financiare të kryera ndaj subjekteve pjesëmarrëse në to, konstatohen një sërë rastesh me shkelje, të evidentuara në raportin e auditëve siç janë, pamundësia e komunikimit dhe e kontaktit direkt me subjektin elektoral, ushtrimi i aktivitetit elektoral nga parti pa numër NIPT-i, çka është një detyrim ligjor për çdo subjekt juridik, deklarimi i pasqyrave financiare të pashoqëruara me fatura tatimore sikundër parashikohet nga ligji apo pa fatura fare etj.
Madje ka raste kur auditimet e subjekteve elektorale publikohen të paplota në faqen zyrtare të KQZ sikundër është detyrimi ligjor, apo nuk publikohen fare.
Deri më sot, sipas Koalicionit të Vëzhguesve, KQZ nuk ka marrë asnjë masë ligjore në këtë drejtim, madje është treguar e pakujdesshme në ushtrimin e autoritetit dhe të funksionit të vet në përmbushje të ligjit”. o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





