

Korçë, NOA.al – Plotësimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mbetet kryefjalë e këtyre ditëve edhe për diplomatët e huaj në vendin tonë. Sot ishte ambasadori i Suedisë në Shqipëri, Patrik Svenson, i cili nga qyteti i Korçës vuri theksin në plotësimin e KQZ-së.
“KQZ duhet të plotësohet me 7 anëtarë që të funksionojë normalisht dhe të kemi zgjedhje të lira. KQZ me 4 anëtarë nuk siguron një proces normal. Nëse nuk plotësohet KQZ, shumë çështje i kalojnë Kolegjit Zgjedhor të vendosë. Shqipërisë i intereson të ketë zgjedhje shembullore”, nënvizoi diplomati, raporton Noa.al.
Svenson vlerësoi lajmin për një mbledhje të Parlamentit të hënën për votimin e 3 ligjeve. “Miratimi i tre ligjeve duhet të kishte ndodhur kohë më parë, që Shqipëria të ecë para në rrugën drejt BE-së”, tha ai.
Ambasadori suedez tha se, në çdo vend për arsye të ndryshme ndodhi incidente gjatë kohës së fushatës, por ai i kërkoi udhëheqësve politikë të jenë të matur në fjalorin e tyre dhe tensionin që i japin fushatës zgjedhore. o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





