



Prishtinë, 23 maj 2013, NOA.al- Katër mijë kërkesa janë bërë në Filialin e Fondit Pensional të Serbisë në Mitrovicë, nga shqiptarët e Kosovës për pagesën e pensioneve të papaguara nga ky fond që nga qershori i vitit 1999.
Ndërkohë, Qeveria e Serbisë ka hartuar një plan për zgjidhjen e këtij problemi.
Plani është bërë pas vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg dhe të hyrjes në fuqi të aktgjykimit nga shtatori i vitit 2012, me të cilin urdhërohet pagesa e këtyre pensioneve.
“Brenda dy muajsh, sa ka qenë afati i paraqitjes së kërkesave, janë dorëzuar 4055 kërkesa. Por nuk përjashtohet e drejtën e paraqitjes së kërkesave as pas kësaj periudhe (19 prilli ishte caktuar afat i fundit)”, ka thënë drejtori i filialit të Fondit Pensional të Serbisë në Mitrovicë, Radulle Kompiroviç.
Të drejtën për të bërë kërkesë, sipas Kompiroviç, e kanë të gjithë ata pensionistë të cilët ndërkohë nuk kanë marrë pension nga Kosova.t.k/a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





