Transmetuar më 23-05-2013, 10:53

Strasburg, 23 maj 2013, NOA.al- Parlamenti Europian pritet të votojë sot mbi Rezolutën e Komisionit Europian dhe Këshillit Europian për përparimin e Maqedonisë.

Eurodeputetët siç mësohet paraprakisht, më shumë do të jenë për të shtyrë vendimin mbi këtë rezolutë, pasi ka pasur debate të ashpra kontradiktore që kanë vlerësuar negativisht procesin e zhvillimeve të brendshme politike në Maqedoni dhe ngecjet në tejkalimin e krizës politike.

Raportuesi i Parlamentit Europian për Maqedoninë, eurodeputeti britanik Richard Hovit ka shprehur kritika ndaj zhvillimeve në Maqedoni, duke nënvizuar se përparimi i ardhshëm i vendit drejt Europës është në rrezik.

“Kredibiliteti demokratik në vend është në pikëpyetje. Maqedonia duhet të bëjë përparime të theksuara rreth formimit të Komisionit të 24 dhjetorit për tejkalimin e krizës politike, të përkrahet një memorandum për mirëkuptim midis partive politike si dhe dialogu dhe liria e shprehjes”, deklaroi Hovit, gjatë një debati që u zhvillua rreth një orë në Strasburg. Një pjesë e eurodeputetëve të përfshirë në debat kanë rikujtuar për një realitet të rëndë në Maqedoni, duke pasur parasysh tensionet etnike dhe ngjarjet e 24 dhjetorit në Parlamentin e Maqedonisë, kur u përzu opozita dhe pa praninë e saj u votua projekt- buxheti për 2013.

Raportuesi Hovit ka nënvizuar se ai me iniciativën e vetë në muajin mars kishte zgjatur afatin për të votuar Rezolutën, me qëllim për ti dhënë kohë vendit për të tejkaluar krizën politike dhe për të pasur përparime në planin e reformave.

“Por për fat të keq, nuk ka progres nga reformat që u kërkuan”, theksoi eurodeputeti britanik Hovit, raporton gazetari i Noa.al në Shkup.

Eurodeputetët kanë rekomanduar Shkupin që të kryejë detyrimet që ka përpara dhe që të fillojnë sa më shpejt negociatat për anëtarësim në BE, qysh në qershor, nga Samiti i ardhshëm i BE-së. Çështja e emrit ka qenë ndër pikat kryesore të këtij debati, ku shumica e eurodeputetëve kanë përmendur zvarritjen e kësaj zgjidhje si problematike.

Eurodeputetët grekë kanë kërkuar që Shkupi të bëjë lëshime në negociatat për zgjidhjen e emrit me Athinën dhe të heq dorë nga antikiteti dhe nacionalizmi.

Hovit më tej ka përmendur edhe finalizimin e marrëveshjes Beograd- Prishtinë, duke theksuar se një model i njëjtë duhet të shfrytëzohet edhe nga Shkupi dhe Athina.

“Këto liderë nuk treguan ndonjë guxim më pak nga ajo që kërkohet nga Shkupi dhe Athina”, theksoi Hovit.n.p/a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit