Transmetuar më 22-05-2013, 19:57

Nëntë shtete të Ballkanit, mes tyre Serbia, janë ftuar në Tiranë të marrin pjesë në konferencën e shtatë të Iniciativës së shefave të Shtabit të Përgjithshëm të vendeve të Ballkanit.

Në këtë konferencë marrin pjesë shefat e Shtabit të Përgjithshëm të FA të Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Bullgarisë, Greqisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë, Turqisë dhe Rumanisë.

E përpos këtyre me statusin e të ftuarit marrin pjesë shefat e Shtabit të Përgjithshëm të Kroacisë dhe Sllovenisë, si dhe përfaqësues të lartë ushtarakë të NATO dhe Bashkimit Europian. Të pranishëm në këtë konferencë ishin Presidenti i Republikës, njëkohësisht komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, z. Bujar Nishani dhe ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami.

Ajo që ra në sy në konferencë ishte mungesa e Republikës së Kosovës. Jo vetëm kaq, por edhe mospërmendja e saj. Të paktën sipas njoftimeve zyrtare nga Presidenca dhe ministria e Mbrojtjes.

Në fjalën e hapjes që mbajti shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, tha se “po përballemi me sfida të njëjta në fushën e sigurisë, si krimi i organizuar, korrupsioni, menaxhimi i kufijve, etj, të cilat kërkojnë një përqasje të njëjtë rajonale, në mënyrë që ne të arrijmë së bashku rezultate konkrete për më shumë stabilitet dhe besueshmëri ndërmjet vendeve tona”.

Në këtë kuadër, ai vlerësoi se iniciativa e shefave të Shtabit të Përgjithshëm të vendeve të Ballkanit është një hap i rëndësishëm përpara në rrugën e përbashkët për të arritur objektivat tona fisnike.

Gjeneralmajor Gjunkshi theksoi se aktualisht vendet tona kanë bashkëpunuar në fushat e trajnimit dhe arsimimit, në mënyrë që të mundësohet thellimi i efektivitetit të kapaciteteve tona ushtarake.

Edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani duke folur në punimet e konferencës, as që e ka përmendur ndonjëherë Kosovën.

Duke u ndalur në situatën në rajonin tonë, sigurinë dhe mbrojtjen e tij, kreu i shtetit shqiptar pranoi se rreziqet asimetrike, të përfaqësuara nga përhapja e armëve të dëmtimit në masë, terrorizmi ideologjik dhe sulmet kibernetike, mbeten ende sfida të rëndësishme për rajonin dhe mbarë botën.

“Duke u nisur nga fakti që rreziqet ndaj sigurisë nuk janë thjesht lokale, e aq më pak të mbyllura brenda kufijve kombëtarë, asnjë vend nuk është në gjendje t’i menaxhojë i vetëm këto rreziqe. Asnjë prej vendeve tona nuk mund të përballojë i vetëm kapacitetet ushtarake dhe sistemet e komplikuara e të shtrenjta të sistemeve të armëve që nevojiten për të qenë i suksesshëm në fushë-betejat moderne. Për t’iu përgjigjur si duhet këtyre situatave janë rritur edhe kërkesat për mbrojtjen kombëtare dhe atë kolektive. Në këtë këndvështrim, na duhet të gjejmë zgjidhje të përbashkëta, të cilat duhet të jenë sa të logjikshme aq edhe të përballueshme”, – theksoi z. Nishani.

E ndërsa Shqipëria zyrtare e përjashtoi Kosovën nga pjesëmarrja në këtë forum të rëndësishëm, Prishtina ka gjetur përkrahje nga Gjermania. Ndërsa në Tiranë nisi forumi ku nuk mungon Serbia, një delegacion i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës zyrtarisht, ka qëndruar për një vizitë në Gjermani. Vizita vjen në kuadër të marrëveshjes bilaterale të nënshkruar mes Ministrisë së FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Gjermanisë, për vitin 2013. Delegacioni i Ministrisë së FSK-së, gjatë qëndrimit në Ministrinë e Mbrojtjes së Gjermanisë, ka realizuar edhe një vizitë pune, në Drejtorinë e Planifikimit të Ministrisë së Mbrojtjes, në Bon, ku u pritën nga drejtoresha e këtij departamenti, Min Dirigin dhe kolonel Funke.

Plot bujari, drejtoria për Politikë dhe Plane e Ministrisë së Mbrojtjes së Gjermanisë, ka ofruar bashkëpunim me FSK-në, në lami të ndryshme, në nivel të ekspertëve.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit