

Tiranë, 22 maj 2013, NOA.al- Në një aktivitet të organizuar nga Lëvizja Rinore për Integrim në ambientet e amfiteatrit te Kodrat e Liqenit në kuadër të fushatës elektorale, përshëndeti kryetari i LSI Ilir Meta.
Gjatë fjalës së tij ai tha se fitorja e Lëvizjes Socialiste për Integrim bazohet tek të rinjtë e LRI, duke theksuar se 4 nga 7 kandidatët për deputetë në Tiranë i përkasin LRI.
Ai theksoi se prioritet për forcën politike që drejton është punësimi dhe arsimimi i rinisë, ndaj tha se LSI është partia ku promovohen të rinjtë. Sipas tij qeveria aktuale ka eufori të kotë, pasi fitorja nuk i takon më.
“LSI angazhohet që për bizneset ku punësohen të rinj dhe të reja që nuk kanë punuar asnjëherë, të subvencionojë pagat e tyre nga 3-6 muaj, pasi për ne rinia është pasuria më e madhe e kombit. Ne duam tu japim fuqi dhe pushtet të rinjve dhe të rejave tona. Vetëm Kryeministri aktual e kuptoi se Shqipëria ishte në krizë, dhe e kuptoi vetëm 3 muajt e fundit, pasi dështoi të hapë 50 mijë vende pune, dhe tani premton 200 mijë vende pune vetëm për të marrë votë. Të rinjtë dhe të rejat nuk mund t’ia besojnë jetën e tyre një Kryeministri që kishte mundësi ti realizonte dëshirat e tyre në 8 vitet që shkuan pas. Ne e dimë që rinia nuk do të rri në kafe, por këtë e bëjnë sepse nuk kanë një vend pune”, deklaroi Meta, citon Noa.al.
Ndër të tjera kreu i LSI tha se është koha e ndarjes nga tranzicioni dhe është momenti i nisjes së një epoke të re, asaj të të rinjve.
Sipas tij zgjedhjet e 23 qershorit janë historike, pasi fitorja e LSI dhe Aleancës për Shqipërinë Europiane kthen shpresat për rininë dhe për gjithë shqiptarët.
Ndër të tjera Meta tha se Berisha ka deklaruar se nuk mund t’ia marrë askush karrigen, pasi ky është shqetësimi i tij i parë dhe i fundit, duke shtuar, “Ne e kemi një kompromis që ai të jetë i qetë dhe të ketë karrigen me vete dhe Shqipëria të marrë frymë lirisht. Kompromisi është që doktori karrigen ku është ulur për 8 vite ta marrë në shtëpi ose në zyrën e tij në PD, dhe Shqipëria më 23 qershor të marrë frymë lirisht dhe të ecë më shpejt drejt Bashkimit Europian dhe drejt një të ardhme të sigurt”.a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





