Transmetuar më 22-05-2013, 12:18

Shkup, NOA.al – Këshilli ekzekutiv i partisë më të madhe opozitare maqedonase LSDM ka vendosur mbrëmë për tre kandidatura të nominuara për kryetar partie që do të votohen në Kongresin partiak të 2 qershorit.

Nënkryetarët Zoran Zaev dhe Zoran Jovanovski si dhe anëtari i kryesisë Igor Ivanovski janë kandidatët që kanë marrë dritën jeshile për të konkurruar dhe për të hyrë në garën për drejtuesin e partisë më të madhe opozitare.

Lidhur me kandidaturat ka pasur debate intensive dhe kontradikta brenda kësaj partie, e cila doli me rezultat të thellë humbës në zgjedhjet lokale të 24 marsit.

Në garën për lidershipin e kësaj partie pritet të jetë edhe lideri i deritanishëm Branko Cërvenkovski. Një numër i madh përkrahësish të LSDM përmes një peticioni kanë grumbulluar mijëra firma në mbështetje të Cërvenkovskit për të mbetur në krye të partisë dhe për të shmangur siç thuhet ndarjet dhe krizën e brendshme partiake, që mund të ndodhë me zgjedhjen e ndonjërit nga kandidaturat e reja.

Mirëpo, siç mëson Noa.al, diplomatë europerëndimorë kërkojnë që në krye të LSDM të vijë një figurë e re partiake, ndërsa ndër më të preferuarit është Zoran Jovanovski, një ekonomist dhe menaxher i dalluar në fushën bankare.

Forumet partiake deri në ditën e kongresit do të shqyrtojnë një zgjidhje kompromisi që tre kandidatët të marrin kryesimin e partisë, duke shpërndarë përgjegjësinë e tyre në drejtimin e kësaj partie. Ndërkohë, në garë është edhe një emër Kire Naumov, i cili nuk gëzon mbështetje brenda partiake. Kongresi i LSDM më 2 qershor pritet të jetë një rrugëtim i ri për opozitën maqedonase. /n.p/o.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit