Transmetuar më 22-05-2013, 12:06

Tiranë, NOA.al – I ftuar në çeljen e fushatës zgjedhore të partisë aleate, Partia e Personave me Aftësi të Kufizuara, kryetari socialist Edi Rama premtoi se, “nuk do t`i tradhtojë kurrë, por do të angazhohet për përmirësimin e jetës së tyre”.

Siç raporton Noa.al, Rama siguroi se, do t’i mbetet besnik sloganit të kësaj partie “për të mos marrë asnjë vendim për ta pa u konsultuar më parë me këtë shtresë të shoqërisë”.

“Mundimi juaj për të zhvilluar fushatën është i shumëfishtë ashtu do të jetë edhe respekti i Partisë Socialiste për ju. Unë nuk ju premtoj se ferri juaj do bëhet në parajsë, por ju premtoj se nuk do t`ju tradhtoj kurrë” tha ai.

Sipas Ramës, Qeveria ka treguar mungesë respekti për personat PAK, “deri në pikën që as formalisht nuk e lanë një ligj në fuqi dhe as formalisht nuk gjetën ngenë t’ju dëgjojnë pavarësisht se ligji nuk thoshte se gjithçka që thonë personat me aftësi të kufizuar duhet të merret parasysh. E pra ne jemi të angazhuar që në 100 ditët e para të qeverisjes sonë të kthejmë ligjin dhe asnjë vendim për ligjin nuk do të ndërmerret pa ju, pa ju dëgjuar dhe pa bashkëbiseduar me ju”

Në vijim të fjalës së tij, kryetari i Partisë Socialiste krahasoi vendin më një invalidit të ulur në karrocë, që lufton me mish e shpirt për t’ia dalë e për të ecur. “Populli shqiptar është sot i ulur në karrocë për shkak të mungesës së një qeverie që t’i japë mundësi të vrapojë drejt së ardhmes i lirë dhe i barabartë si gjithë popujt e Evropës”vijoi Rama fjalën e tij në çeljes e fushatës së PPAK, që është pjesë e koalicionit Aleanca për Shqipërinë Evropiane. o.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit