

Tiranë, 21 maj 2013, NOA.al- Kryeministri Sali Berisha priti sot në një takim shefen e Misionit të ODIHR-it Conny McCormak si dhe anëtarë të tjerë të misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR.
Kryeministri vlerësoi rëndësinë themelore që ky mision ka në procesin zgjedhor, ndërsa siguroi për mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare në kryerjen e detyrave, për të cilat ky mision është mandatuar.
Berisha shprehu besimin se të gjitha partitë politike janë të angazhuara për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm. Kryeministri siç raporton Noa.al nënvizoi se Kodi Zgjedhor tashmë ka trajtuar në mënyrë konsensuale, gjatë reformës së fundit zgjedhore, rekomandimet e ODIHR-it të viteve 2009 dhe 2011, duke e bërë kështu kornizën ligjore edhe më të mirë, edhe më solide, në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e Këshillit të Europës. Kryeministri, duke shprehur bindjen e tij se mazhoranca duhet të sigurojë besimin e opozitës në proces, nënvizoi se reforma zgjedhore u bazua në propozimet e opozitës.
Kryeministri e njohu shefen e misionit të ODIHR-it në përmirësimet e mëdha të infrastrukturës zgjedhore si hartimi i listave dixhitale të zgjedhësve, pajisja me karta identiteti e të gjithë votuesve, rritja e numrit të qendrave të numërimit, zvogëlimi i numrit të zgjedhësve për qendër votimi etj., ndryshime këto që do të ndikojnë ndjeshëm në rritjen e standardeve të procesit, do të shkurtojë kohën e numërimit, do të rrisë transparencën dhe besueshmërinë e rezultatit zgjedhor.
Në lidhje me problemin e KQZ-së, Kryeministri u shpreh se Partia Socialiste po përpiqet të pengojë procesin zgjedhor, duke keqpërdorur anëtarët e saj në KQZ, nëpërmjet orkestrimit politik të dorëheqjeve të tyre, megjithatë Berisha u shpreh i gatshëm për të plotësuar anëtarësinë e KQZ-së me emrat që opozita do të propozojë.
McCormak e falenderoi Kryeministrin për panoramën dhe qartësimet mbi çështje të caktuara të procesit përgatitor zgjedhor dhe ndau të njëjtin mendim me Kryeministrin për rëndësinë e madhe që ka transparenca e procesit zgjedhor për besueshmërinë e këtij procesit.a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





