

Një komision i Senatit amerikan thotë se kompania Apple ka shmangur pagimin e taksave mbi fitimet prej miliarda dollarësh duke krijuar një rrjet kompleks degësh jashtë vendit.
Komisioni i Senatit thotë se, Apple ka krijuar filialet e huaja pa asnjë të punësuar apo pa zyra që të paguajë më pak ose aspak taksa për fitimet e saj. Komisioni thotë se Apple është duke mbajtur 145 miliardë dollarë në para të gatshme, nga të cilat më shumë se100 miliardë i mban jashtë vendit, shkruan Zëri i Amerikës.
Kreu i kompanisë Apple, Tim Cook është planifikuar për të dëshmuar sot përpara komisionit të Senatit.
Është e zakonshme për korporata shumëkombëshe të përdorin filiale jashtë vendit për të shmangur taksat në Shtetet e Bashkuara dhe raporti i Senati nuk e akuzon kompaninë Apple për ndonjë aktivitet të paligjshëm. Megjithatë, ligjvënësit thonë se firma Apple është duke përdorur metoda të reja për të shmangur taksat.
Në dëshminë me shkrim drejtuar komisionit, kompania Apple mohoi përdorimin e dredhive për të shmangur taksat dhe vuri në dukje se kjo firmë pagoi rreth 6 miliardë dollarë në taksa vitin e kaluar.o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





