Transmetuar më 21-05-2013, 12:21

Prishtinë, NOA.al – Lëvizja Vetëvendosje! shpreh shqetësimin e saj, për marrëveshjen e cila u publikua se u nënshkrua në Beograd për shitjen e Trepçës. Kjo lëvizje, marrëveshjes për shitje, i referohet si ‘e ashtuquajtura marrëveshje’ dhe fajtore e bë edhe Qeverinë e Kosovës për zhvillimin e negociatave me Serbinë, shtet që nuk e njeh pavarësinë e vendit.

“Prej fillimit të negociatave, Vetëvendosje! i ka kundërshtuar ato duke theksuar se kur Qeveria në emër të shtetit pranon të negociojë për funksionimin e brendshëm e për një pjesë të territorit, me një shtet të huaj si Serbia, atëherë në fakt është duke pranuar që për çdo gjë e për gjithçka do të duhen negociata e leje edhe nga Beogradi.  Praktikisht për veriun e Kosovës dhe për asociacionin e komunave Qeveria në Prishtinë dhe deputetët që e votuan tekstin e marrëveshjes, kanë pranuar se ka sovranitet të dyfishtë me Serbinë”, thuhet në një komunikatë të kësaj lëvizjeje, të cilën e raporton korrespondentja e Noa.al.

Ndërkaq, në njoftim rikujtohet iniciativa e kësaj lëvizjeje për zhvlerësimin e kontratave të periudhës prej 1989 deri më 10 qershor 1999. “Në 5 prill 2013, pas një debati parlamentar, Grupi parlamentar i VETËVENDOSJE!-s i propozoi Kuvendit, Rezolutën ku shpallej pavlefshmëria juridike e të gjitha kontratave dhe marrëveshjeve, përmes të cilave është bërë tjetërsimi i pronës publike dhe shoqërore nga 22 mars 1989 deri më 10 qershor 1999. Kjo rezolutë nuk u miratua dhe vendimet e marra në kohën e regjimit të Millosheviçit mbetën në fuqi”, vazhdon njoftimi. Sipas tyre, në vendime të kësaj periudhe përfshihen edhe shumë vendime të Millosheviçit për Trepçën./t.k/o.k/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit