Transmetuar më 21-05-2013, 10:05

Shkup, NOA.al  – Presidenca e Maqedonisë sot pritet të përmbyll listën e të ftuarëve për Samitin e procesit të bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) që do të mbahet më 1 qershor në Ohër.

Disa presidentë të rajonit të Ballkanit nuk do të jenë pjesëmarrës në këtë Samit, edhe pse presidenti maqedonas Georgie Ivanov kishte shfaqur shpresën për praninë e të gjithë homologëve të tij të rajonit, njoftuan për Noa.al nga kabineti i presidentit Ivanov.

“Prania apo mosprania e pjesëmarrësve pritet të vendoset dhe mbyllet sot. Sigurisht do të jetë përjashtime për krerë shtetëror rajonal, por ne do të dimë saktësisht prej nesër se cilët presidentë dhe pastaj kryeministra do të vijnë në këtë samit”, theksuan të njëjtat burime.

Presidenti bullgar, Rosen Plevneliev, dje bëri të ditur se nuk do të jetë pjesëmarrës në samitin e presidentëve dhe shefave të qeverive të vendeve të Evropës Juglindore në Ohër.  Kabineti i presidentit Ivanov dje është informuar se Plevneliev nuk do të jetë i pranishëm në këtë samit, ndërsa në Ohër do të jetë kryeministri aktual i qeverisë së përkohshme Marin Rajkov. Nga kabineti i Ivanov theksojnë se nuk kanë ndonjë arsyetim se përse presidenti bullgar anulon pjesëmarrjen në Samitin e Ohrit.

Në këtë samit rajonal praninë kanë konfirmuar presidentët e Shqipërisë, Kroacisë, Moldavisë, Malit të Zi, Rumanisë, Serbisë, Sllovenisë, Bosnjë – Hercegovinës, si dhe ministri i jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoglu.

Nga Ministria e Jashtme në Shkup bëjnë të ditur se akoma nuk kanë marrë përgjigje nga Athina zyrtare për praninë e shefit të diplomacisë greke, Dimitris Avramopulos, të cilit iu bë ftesa pas refuzimit të presidentit grek Karolos Papulias. Nga MPJ theksojnë se akoma nuk kanë marrë përgjigje se a do të jetë i pranishëm edhe ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili gjithashtu ka marrë ftesën. Ministria e Jashtme theksoi se, deri sot pritet të mbyllet lista e mysafirëve dhe pjesëmarrësve të Samitit të Ohrit, ku do të jetë i pranishëm edhe eurokomisioneri për zgjerim, Stefan Fyle. /n.p/o.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit