

Policia e Kosovës ka njoftuar se në fshatin Çupevë e Ulët të Klinës, një person ka bërë vetëvrasje. 49 vjeçari Imer G. ka marr armën dhe është larguar larg shtëpisë rreth 150 metra, ku edhe ka kryer vetëvrasje.
Sipas policisë, stacioni Policor në Klinë është njoftuar përmes telefonit nga Qendra e Mjekësisë Familjare Klinë, se në ketë qendër ishte sjellë një person i plagosur me armë zjarri dhe për shkak të lëndimit të rëndë viktimën e kanë dërguar për në Spitalin Rajonal Pejë, por pas arritjes në ketë spital mjekët kanë konfirmuar vdekjen e tij.
“Njësitë përkatëse policore të këtij stacioni kanë dalë në vendin e ngjarjes për ta siguruar vendin kurse në vendin e ngjarjes kanë dalë Prokurori i shtetit, Njësiti i Hetimeve Rajonale për të bërë këqyrjen e vendit të këtij rasti, raporton gazeta Express.
Sipas të dhënave të para, provave të mbledhura nga vendi i ngjarjes dhe dëshmitarëve, viktima shtetasi i Kosovës Imer G.(1964) nga fshati Çupevë e Ulët komuna Klinë, ka marrë armën dhe pasi u shmang larg shtëpisë rreth 150 metra ka kryer vetëvrasje. Trupi i pa jetë i viktimës me urdhër të Prokurorit të çështjes dërgohet për obduksion”, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga Policia e Kosovës.
Njësiti përkatës i hetimeve rajonale DRP Pejë tha se është duke e hetuar rastin për të mësuar të gjitha rrethanat dhe motivin e kësaj vetëvrasjeje, dhe pas kompletimit të hetimeve rasti do të procedohet në Prokurorinë e Shtetit.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





