Transmetuar më 20-05-2013, 15:54

Shkup, 20 maj 2013, NOA.al- Sektori financiar në Maqedoni është i qëndrueshëm edhe përkundër krizës financiare që ka përfshirë vendin dhe rajonin. Kjo u theksua sot nga guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë, Dimitar Bogoev dhe ministri i financave, Zoran Stavrevski.

Sipas tyre, nuk ka rreziqe për të rrezikuar sistemin financiar bankar, fondet dhe institucionet e tjera financiare.

“Gjendja në sektorin financiar në përgjithësi është stabile, dhe nuk ka rreziqe shumë të mëdha. Bankat dhe segmentet e tjera në tregun financiar po ballafaqohen me sukses me sfidat aktuale që janë si pasojë e krizës financiare në Evropë dhe botë”, theksoi ministri Stavrevski.

Ai deklaroi se është i nevojshëm një bashkërendim më i madh midis Bankës Popullore të Maqedonisë dhe Qeverisë, për të ndjekur gjendjen lidhur me tregun financiar dhe sektorin bankar.

Guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë, Dimitar Bogov informoi mbi risitë që kanë të bëjnë me Ligjin për bankat, përkatësisht për kërkesat e tre kursimoreve për t`u transforumuar në shoqëri financiare. Sipas tij, gjendja në sektorin financiar gjithashtu është stabile edhe përkundër jostabilitetit dhe pasigurisë që po mbretërojnë në ekonominë botërore dhe në tregjet botërore financiare.

Por, nga ana tjetër ekspertët ekonomik siç raporton gazetari i Noa.al në Shkup, vlerësojnë se vendi po thellohet drejt një krize ekonomike dhe se vrimat e buxhetit po mbyllen me anë të borxheve, që vazhdimisht po futet Qeveria aktuale.

Qeveria gjatë këtyre dy muajve është futur në borxhe të reja, duke tërhequr kredi pranë institucioneve financiare botërore. Borxhi i përgjithshëm i Maqedonisë ka arritur në 2.716 miliardë euro apo rreth 33% e Prodhimit Bruto Vendor.

Vetëm gjatë dy viteve e gjysmë, borxhi i Maqedonisë ka shënuar rritje për 1 miliard euro.

Më së shumti borxhe janë marrë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, nga institucione e banka të huaja, por borxh është marrë edhe nga bankat e vendit dhe kompani të ndryshme.

Eksperti financiar, Vanço Uzunov thekson se vendi përmes borxheve po arrin që të sanojë krizën financiare.

“Vendi po përballet me krizë dhe kjo është evidente. Qeveria nuk ka para për t’i mbuluar shpenzimet rrjedhëse, siç janë paratë buxhetore për rroga dhe pensione, andaj rrugëzgjidhja për të mbuluar këto janë kreditë dhe borxhet që po huazohen vazhdimisht. Kjo Qeveri ka zgjedhur strategjinë, të marrë borxhe aq sa mundet dhe për kthimin e tyre të mendojnë ata që do të vijnë pas saj”, ka theksuar eksperti ekonomik Uzunov.

Një vlerësim i tillë vjen edhe nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore. “Të mos bëjë investime joproduktive që bëri dhe ende vazhdon të bëjë, e kam fjalën për projektin ‘Shkupi-2014’ dhe të ngjashme me të, por të fokusohet në investimet kapitale pasi është edhe obligim ndaj taksapaguesve që këto mjete t’i kthehen sërish biznesit”, vlerëson kryetari i OEMVP-së, Menderes Kuçi.

Ekspertët thonë se Qeveria e Maqedonisë duhet të ndryshojë politikat ekonomike dhe të heqë dorë nga projektet joproduktive, për të cilat shpenzohen miliona euro, të siguruara edhe nga borxhet e jashtme.n.p/a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit