Transmetuar më 20-05-2013, 12:16

Prishtinë, NOA.al – Ndërsa ende po bisedohet për zbatimin e marrëveshjes, palët kanë interpretime dhe pritje të ndryshme për të. Analistët në Kosovë paralajmërojnë lindjen e një Republike të Serbisë në Kosovë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, pati thënë se, gjatë kësaj jave do të arrihet pajtim për planin e zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit të arritur në Bruksel. Por ai ka insistuar se shprehet i sigurt se nuk do të ketë Traktat Paqeje me Serbinë. “Nuk do të ketë Traktat Paqeje me Serbinë pa u zgjidhur problemi i të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës”, nënvizoi Kuçi, citon korrespondentja e Noa.al.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri serb, Aleksandër Vuçiç ka thënë se, tashmë Serbia pret ndihmë për zhvillim ekonomik të Serbisë dhe më tepër investime. Ai shprehu bindjen se, Serbia në qershor do ta marrë datën e negociatave me BE. “Kërkojmë që pala e Prishtinës ta respektojë Marrëveshjen e jo të kompensojë diçka që nuk ka pasur sukses të hyjë në atë, por tani kërkon të hyjë planin për jetësimit të saj. Nënvizoj se Serbia ka çështjet e veta që për atë janë kyçe dhe më të rëndësishme, krahas atyre që përmenden, duke vënë në plan të parë zhvillimin ekonomik dhe investimet”, ka thënë Vuçiç duke i komentuar deklaratat e ministrit të jashtëm të Gjermanisë, Guido Westerwelle, i cili tha se, marrëveshja është kusht për Serbinë për marrjen e datës së negociatave me BE për anëtarësim.

Westerwelle, dje bëri thirrje për zbatimin e marrëveshjes, e cila parasheh normalizimin e

marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. “Dakordimi për të zbatuar Marrëveshjen e Brukselit është kushti kryesor për përparimin e mëtejshëm të Serbisë në rrugën evropiane”, ka porositur Westerwelle.

Për analistin Shkëlzen Gashi, “me Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve (Marrëveshja e Brukselit 2013), e cila është pranuar nga Delegacioni i Kosovës, e kësaj radhe edhe nga ai i Serbisë, zgjerohet autonomia e serbëve në Kosovë në fushat që s’i kishte paraparë as Marrëveshja e Rambujesë e as Propozimi i Ahtisaarit, e që janë fushat më të rëndësishme, gjyqësori, policia dhe institucionet politike, si dhe betonohen themelet e autonomisë territoriale të serbëve në Kosovë. Pra, e vërtetë, jemi në prag të një Republika Srpska të re dhe nëse serbët në Kosovë e shfrytëzojnë si duhet këtë mundësi, atëherë në fund të kësaj dekade mund të bëhen entitet politik sikur Republika Srpska”. /t.k/o.k/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit