

Tiranë, NOA.al – (update) Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta tha sot në një deklaratë për shtyp se, objektivi i tij kryesor është fitorja plebishitare e të majtës në zgjedhjet e 23 qershorit.
Meta e cilësoi dëshirë personale, deklaratën e kandidatit Nasip Naço për të votuar LSI, në mënyrë që pas 23 qershorit Ilir Meta të jetë kryeministër i vendit. “Koalicioni është në një sintoni të plotë dhe me një rritje të jashtëzakonshme të frymës së bashkëpunimit që thellon çdo ditë fitoren e 23 qershorit. Të tjerat janë deklaratat dhe dëshira të individëve të caktuar. Ashtu si edhe zoti Berisha ka ëndrrat e tij dhe vazhdon të shikojë ëndrra me sy hapur. Objektivi im i vetëm është fitorja e së majtës dhe një objektiv tjetër, që nuk po më ndihmon Berisha për ta realizuar, që është miratimi i 3 ligjeve”, nënvizoi ai, citon Noa.al.
Ilir Meta siguroi se, pa asnjë diskutim që objektivi kryesor i LSI-së është fitorja e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë evropiane” në 23 qershor dhe arritja e një rezultati historik të LSI-së.”Ne kemi rënë dakord që doktori të mos jetë më kryeministër”, tha Meta duke deklaruar se, “i interesonte fitorja e thellë dhe një diferencë me 200 mijë vota. Çështjet e tjera janë në përputhje me normat dhe rregullat e demokracisë, marrëdhëniet me PS janë konstruktive, edhe me forcat e tjera të koalicionit dhe do vazhdojnë të jenë edhe pas 23 qershorit që t’i qëndrojnë besnik parimeve që u firmosën në Shkodës.”
Interesit të gazetarëve për deklaratën e sotme nga Gjirokastra të kryeministri Sali Berisha, se Meta synon karrigen e tij iu përgjigj duke thënë se, “Berisha nuk ka vullnetin të votojë 3 ligjet pasi është i kompleksuar që ky propozim vjen nga LSI-ja dhe LSI-ja është pjese e opozitës dhe për t’i shmangur këtij propozimi kalon në marifete të tilla”.
Sipas Metës, e vetmja zgjidhje për të tejkaluar ngërçin në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve është rivendosja e besimit tek institucioni përmes dialogut konstruktiv mes palëve. “Opozita nuk ka asnjë arsye te legjitimoje shkatërrimin e këtij institucioni të bërë nga Berisha. Është një çështje për të cilën Berisha duhet të marrë përgjegjësi, pasi jemi i vetmi vend në rajon që ka një problem të tillë, ku kemi një gjysmë qeveri zgjedhjesh dhe njëkohësisht fillojmë këtë proces me një shqetësim për standardet e zgjedhjeve të 23 qershorit, gjë që nuk e pengon opozitën për të fituar në mënyrë bindëse”sqaroi ai.
Kryetari i LSI-së përsëriti ftesën e tij për t’i votuar 3 ligjet e integrimit këto ditë në parlament, por me kushtin që ato të hyjnë në fuqi në shtator. Berisha është i sigurt në fitoren e tij, pse ka frikë që këto ligje të vihen në zbatim në shtator”, tha në komunikim me gazetarët Ilir Meta.o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





