

Tiranë, NOA.al – Partia Socialiste zhvillon sot ditën e dytë të Konventës së saj Zgjedhore, nën moton “Bashkë për një fitore plebishitare”.
Pas paraqitjes që iu bë dje kandidatëve të kësaj partie në të gjithë vendin si dhe aleatëve të PS-së në zgjedhjet e 23 qershorit, sot pritet prezantimi i programit nga kryetari Edi Rama, bën të ditur Noa.al.
Dje në Konventën e konceptuar si spektakël Rama tha se, “Programi i Partisë Socialiste nuk është elektoral, ai është i detajuar dhe në shërbim të qytetarëve. Unë jam krenar se ky program dhe kjo skuadër ka mbështetjen e shumicës së qytetarëve që duan të jetojnë me punën e tyre dhe familjen e tyre. Ky program është një instrument në dorën e skuadrës. Partia Socialiste e Shqipërisë është sot lokomotiva e një transformimi, forca udhëheqëse e Aleancës për Shqipërinë Evropiane. Ne do t’i kthejmë Shqipërisë të drejtën për t’u qeverisur nga shumica. Jam krenar sepse për të gjitha këto arsye pas një rrugëtimi të vështirë në opozitë në mbrojtje të lirive dhe vlerave të demokracisë, në 23 qershor ne do të fitojmë për Shqipërinë Evropiane, për qytetarët e Shqipërisë Evropiane, për fëmijët që lindin apo do të lindin nesër, të cilëve me krenari do t’u trashëgojmë një Shqipëri të denjë për ëndrrën e atyre që e themeluan.” o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





