Transmetuar më 18-05-2013, 21:11

Tiranë, NOA.al – Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë në një deklaratë për zhvillimin e fushatës parazgjedhore ngre shqetësimin se “mbarëvajtja dhe mbikëqyrja e kësaj fushate prej autoriteteve përgjegjëse del jashtë kontrollit, pasi ligji e rregullon këtë mbikëqyrje dhe monitorim vetëm për një muaj nga rreth 6 muaj fushatë të zhvilluar tashmë”.

Për këtë Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë nxit dhe mbështet Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të vënë gjithë këtë proces në shina ligjore, duke marrë masa dhe vendosur sanksione administrative ndaj të gjitha subjekteve politike që kanë shkelur afatin e çeljes së fushatës zgjedhore, në zbatim të Nenit 171 pika 2 e cila përbën bazën e nevojshme ligjore, citon Noa.al deklaratën e KVV.

Po ashtu në lidhje me Ndalimin e përdorimin të burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore, Koalicioni konstaton se kuadri ligjor i sotëm është i plotë dhe përbën një garanci që duhet të shfrytëzohet maksimalisht si një mjet efikas për të ndaluar përdorimin e burimeve publike nga subjektet zgjedhore.

Përveç Kodit Zgjedhor i cili mbulon vetëm periudhën e fushatës zgjedhore, pra nga 24 Maji deri më 21 Qershor, Koalicioni sjell në vëmendje garancitë që ofrohen dhe jepen nga Kodi Penal të cilat nuk janë të kufizuara në kohë dhe janë të vlefshme në çdo kohë.

Ndaj, Koalicioni nxit të gjithë aktorët politikë ose jo si edhe qytetarët që të denoncojnë pranë organeve kompetente të gjitha rastet e abuzimit me ligjin nga ana e subjekteve elektorale apo nga pushtetarë.

Madje Koalicioni tërheq vëmendjen se shqetësimet e ngritura në media deri më sot dhe në vazhdim duhet të përbëjnë indicie për Prokurorinë, si trupa përgjegjëse e të hetuarit në Republikën e Shqipërisë.

Gjithashtu Koalicioni ngre shqetësimin e transmetimit në mënyrë të jashtëligjshme të spoteve elektorale të parakohshme si dhe i një spoti (reklamë televizive) të Ministrisë së Mbrojtjes mbi “anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”.

Me synim mbarëvajtjen sa më të mirë të procesit, Koalicioni fton “Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të informojë nëpërmjet një Njoftimi për Shtyp të gjithë operatorët mediatikë, qendrorë apo lokalë, shtetërorë apo privatë mbi risitë e këtyre ndryshimeve e në veçanti në lidhje me mbikëqyrjen e mbulimit që do t’i bëjë media fushatës zgjedhore.o.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit