

Tiranë, NOA.al – Kryeministri Sali Berisha deklaroi të shtunën në një takim në zyrën e tij me kryetarët e Bashkësive Islame të Ballkanit se “nuk janë besimet që i vendosin njerëzit kundër njëri-tjetrit, por politikat që i përdorin si pretekst besimet."
Kryeministri theksoi rëndësinë e dialogut, nga i cili nuk duhet të lodhet askush, ndërsa veçoi shembullin e Shqipërisë, besimet fetare të së cilës nuk e përçanë për asnjë moment këtë komb; citon Noa.al.
"Edhe Ballkani mund të jepet si shembull në botë për bashkekzistencën paqësore të besimeve fetare", tha ai. Kryeministri u tha kryetarëve të Bashkësive Islame të Ballkanit se homologët e tyre në Tiranë e nisën nga zero ringritjen, pas batërdisë që bëri komunizmi, me prishjen e gjithë infrastrukturës së këtij besimi, e cila sot e rindërtuar tërësisht do të kurorëzohet me xhaminë e madhe të Tiranës.
Prof. Dr. Mehmet Gormez, kryetar i Komunitetit Mysliman të Turqisë, falënderoi në emër të kryetarëve të Bashkësive Islame të Ballkanit, Kryeministrin Berisha për mbështetjen e gjithanshme që i ka dhënë komunitetit mysliman, ndërsa u shpreh se mezi prisnin lëvizjen e kamionëve në sheshin e ndërtimit të xhamisë së madhe të Tiranës, të cilën, tha ai do ta mbështesnin fort.o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





