

Fushata ka nisur. Më 23 është zyrtarja, por ajo ka nisur megjithatë. Kjo javë me fjalimet, takimet, replikat, batutat, por sidomos me mitingjet, profiloi përfundimisht dy fushatat të cilat pritet të ndeshen më 23 qershor. Duket se sinonimi i fushatës së Berishës dhe i rolit të tij në fushatë është fjala vendosmëri.
Nga Henri Çili
Berisha, vërtet nuk e rishpiku veten pas 2011-ës, as me rastin e zgjedhjes së Presidentit, as pas largimit të Metës, por ai ka vendosur të bëjë betejën e jetës së tij politike, brenda tipit të tij, brenda biografisë së tij, brenda natyrës së pragmatizmit të tij.
Në këtë fillim fushate ai është bërë esencial, konstruktiv dhe sidomos i vendosur. Metafora e vendosmërisë ilustrohet me axhendën e tij mbinjerëzore: nga 9 e mëngjesit deri në 9 të mbrëmjes; nga mitingjet te takimet diplomatike, nga aktivitetet kulturore te ato me qytetarët, nga lëvizjet taktike te projektimet strategjike. Duke qenë vetvetja, ai duket se ka dalë para shqiptarëve me avantazhet dhe kufizimet e tij, pa fshehur asgjë, pa hezituar të bëjë maksimumin e pragmatizimit politik, pa u bërë konjuktural në raport me idetë e tij për ekonominë, tregun dhe reformën, në kushtet e një kompleksimi të të gjithë liderëve europianë të së djathtës nga çështjet e krizës në lidhje me liberalizmin ekonomik.
Pragmatist deri në limitin e afrimit të të gjitha figurave të kartolinës së PD të vitit ’92, nga Selami te Shehi, nga Ceka te Zogaj (Zogaj aty rrotull), Berisha i ka dhënë një përgjigje përmasës historike. I pamëshirshëm në planin taktik ai nuk ka hezituar të shpërblejë ata që iu gjendën në ditë të vështirë nga kampi tjetër kur i rrezikohej qeveria apo marrja e zgjedhjeve në tavolinë nga opozita, Islami, Dogjani dhe Kadeli.
I bindur për taksat e ulëta, për defiskalizimin, për derregullimin, për shtetin e vogël të paktën, si objektiv i së nesërmes, Berisha nuk ka ceduar nga presioni i dekadës së fundit mbi liberalizmin ekonomik; as me rastin e kësaj krize të pashembullt që ka kapur Perëndimin.
Në planin historik, në planin taktik, në planin ideologjik, në këta tre komponentë, Berisha duket i vendosur. Kjo është arsyeja se pse mitingjet e javës së fundit të tij janë masive e entuziaste, dhe surprizë sidomos për një kryeministër në pushtet prej 8 vjetësh.
Dyzimi, pikërisht dyzimi, është tipari kryesor i fushatës së Ramës. Nga radikalizmi te opozita konstruktive; nga lufta për jetë a vdekje me Metën te kompromisi i madh me të; nga programi i Rilindjes te një amalgamë idesh reformuese pa identitet tani që ka Metën përkrah. Nga entuziazmi për koalicionin me Metën, te hezitimi për të dalë më shumë se një herë bashkë në fushatë përveçse gjatë firmosjes së përzishme të marrëveshjes së pajtimit në Shkodër.
Nga vendosmëria e dikurshme për ndryshimet kushtetuese, te hezitimi për të pranuar pasojat shkatërrimtare të tyre mbi demokracinë shqiptare dhe nevoja urgjente për ta ribërë republikën; nga thirrjet e egra për drejtësi popullore pas 23 qershorit, te hezitimi për të kthyer faqen dhe për të vazhduar përpara me mëkatarët e LSI në bord; nga vendosmëria për të qëruar hesapet me elitën e vjetër apo nanoiste në PS, tek akuzat si tradhtarë të atyre që vetë i ka përjashtuar apo lënë jashtë liste. Hezitimi është pra filli përshkues i fushatës së deritashme dhe, me sa duket, tipari endemik i asaj që do të vijë në javët në vazhdim.
Çfarë duan dhe çfarë do të zgjedhin shqiptarët më 23 qershor? Një prej tyre: dyzimin ose vendosmërinë. Ata e dinë.
"MAPO"
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





