
Conny McCormak, amerikania që kryeson misionin e vëzhguesve afatgjatë të ODIHR-it për zgjedhjet e 23 qershorit, nuk ka dashur të bëjë asnjë koment për çështjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), edhe pse gazetarët kanë këmbëngulur. Po përse kjo thuajse “omerta”? Shpjegimet e dhëna nga McCormak nuk janë fare bindëse.
Nga Andrea Stefani
Nuk kuptohet se përse “situata e këtushme” e “palëvizshme” – siç u shpreh ajo, qenka një shkak apo një “takt” për të mos folur. Nuk përbën argument edhe nënvizimi se ODIHR nuk është arbitër, por vëzhgues në këto zgjedhje. Sqarim i panevojshëm, sepse të gjithë e dinë këtë. Por dinë edhe tjetrën, që roli i vëzhguesve është të denoncojnë, në proces e sipër, ç’ka nuk po bëhet mirë në mënyrë që të korrigjohet në funksion të shpëtimit të procesit zgjedhor. Pas 23 vjetësh dështime me zgjedhjet, Shqipëria nuk ka luksin që t’i plotësojë standardet në zgjedhjet e 2017-s. Prandaj s’ka fare kuptim të vëzhgosh dhe të mos denoncosh të metat. Aq më keq, ç’kuptim ka që një të metë, si kjo lidhur me KQZ, ta denoncosh në fund, kur çdo gjë të ketë marrë fund?!
***
Problemi i KQZ po rezulton vërtet një patate e nxehtë. Por ndërsa kuptohet se ajo “patate” mund të djegë gjuhën e kryeministrit Berisha, nuk është e qartë se përse e bën edhe ODIHR të ndiejë nxehtësi në gishta sapo e merr në dorë. Dhe të heshtë me “diplomaci”. Vallë edhe në veprimtarinë e një misioni vëzhgues zgjedhjesh paska diplomaci, sekrete, gjëra që thuhen dhe nuk thuhen? E pra, duhet thënë hapur: nëse ODIHR vendos të heshtë për KQZ, jo vetëm nuk ruan dot statusin e vet të paanësisë, por bëhet qartazi i anshëm. Sepse heshtja mbron dhunimin që i është bërë këtij institucioni. Dhe dhunimi është bërë nga kryeministri Berisha dhe shumica e tij tiranike në Kuvendin e Shqipërisë.
***
Tashmë jo pak zëra nga pala e ndërkombëtarëve, kanë kritikuar si antiligjor operacionin që kryeministri Berisha kreu duke shkarkuar një anëtar të LSI dhe duke emëruar anëtar të KQZ një jurist që njihet si ndër besnikët e tij. Justifikimet e Berishës për këtë, pa ekuivok, puç institucional ishin mjerane. Ai pretendon se një ujdi e vjetër politike (që ai paska bërë me PS që në kohën e Fatos Nanos) i njeh qeverisë të drejtën të ketë shumicën në KQZ. Dhe meqenëse largimi i LSI e kalonte automatikisht shumicën nga ana e opozitës, duhej që shumica berishiste të rivendosej duke bërë shkarkimet dhe emërimet përkatëse. Kryeministri “harron” se shteti ligjor (jo ai partiak që aspiron Berisha) nuk funksionon fare kështu. Shteti është një marrëveshje (kontratë) për të zbatuar ligjin dhe jo një ligj për të zbatuar marrëveshjen. Ajo çka Berisha kërkon për qëllime manipulative, na çon prapa në një situatë parashtetërore. Ndërsa logjika e shtetit dhe e ligjit (Kodit Zgjedhor) është krejt tjetër. Ajo i njeh të drejtën qeverisë të propozojë 4 vetë për në KQZ ndërsa opozitës 3. Por me t’u emëruar këta anëtarë të KQZ nuk janë më (sipas logjikës së ligjit) ushtarë të partive që duhen ndërruar nëse ndryshojnë balancat apo koalicionet politike. Ligji nuk mund të bartë një “logjikë” të tillë primitive që është kundër frymës së tij, frymë që tenton pavarësimin dhe jo vartësimin e institucioneve si KQZ nga politika. Ligji i sheh 7 anëtarët e KQZ në shërbim të tij dhe Kushtetutës dhe është indiferent për sa i takon ndryshimit të aleancave apo balancave politike. Berisha kërkon që ligji ta shohë KQZ me syzet partiake të PD.
***
Etja aventuroze e Berishës për të pasur me çdo kusht shumicën edhe në KQZ na ka çuar në një situatë kur kemi një gjysmë-KQZ. Ne e dimë se ODIHR nuk ka të drejtë vendimmarrje që të ndryshojë këtë situatë. Por ndërkaq nuk mund të kuptojmë se përse ODIHR duhet të heshtë kur në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj kanë konstatuar se kryeministri, me anë të një proceduralizmi antidemokratik, ka rivendosur shumicën në KQZ. Kjo përveçse një premisë e frikshme manipulimi është një puç institucional. Praktikisht kryeministri e ka pushtuar institucionin në mënyrë të jashtëligjshme. Në mënyrë të jashtëligjshme janë bërë nga gjysmë-KQZ-ja edhe të gjithë zëvendësimet e anëtarëve në KZAZ-të. Nuk ka një nen në Kodin Zgjedhor, që të përligjë këto zëvendësime. Arbitrariteti i pushtetit është kaq evident, sa habitesh sesi ODIHR rezervohet të flasë për këtë gjëmë, për këtë minë që është vendosur në themelin e zgjedhjeve.
***
Opozita nuk mund të bëhej garniturë “demokratike” e puçit të KQZ. Prandaj edhe largimi i saj nga ky institucion i dhunuar është krejtësisht i përligjur. Prandaj tingëllojnë të padrejta dhe aspak shëruese thirrjet që i drejtohen simetrikisht edhe Berishës edhe Ramës që të zgjidhin krizën e KQZ. Opozita nuk mund të plotësojë vendet e mbetura, pasi Berisha në mënyrë krejt të jashtëligjshme, ka stabilizuar në KQZ një shumicë besnike të tij. Ligjin duhet ta pranojnë të gjitha palët edhe kur i bën shumicë, por edhe kur fryma e tij, këmbëngul të mbeten në pakicë. Berisha i kish bërë planet të ishte shumicë në KQZ. Ngjarjet ia prishën këto plane. Kjo nuk i jep të drejtë kryeministrit të prishë ligjin për të ndrequr planet e veta. Kalimi i shumicës në krahun tjetër duhet ta bënte të shpresonte dhe punonte që shumica të zbatonte ligjin dhe Kushtetutën dhe jo vullnetin e opozitës. Por Berisha nuk mund ta bënte këtë. Sepse, për nga natyra, një autokrat nuk mund të besojë në një institucion që punon jashtë një axhende politike të dikujt. Madje ai nuk do të ketë një institucion të tillë. Prandaj është i gatshëm të pranojë, me riskun e vetëdiskreditimit, një KQZ të katandisur në gjysmagjel, duke ëndërruar se do t’i pjellë florinj për pushtetin e tij. Dhe kur dëgjon se ODIHR nuk do të flasë për këtë hata, nuk mund të mos ia bësh: OH DEAR!
"Shqip"
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





