

Korçë, 17 maj 2013, NOA.al- (Update) Kryeministri Sali Berisha mbrëmjen e sotme u ndal në qytetin e Korçës për të prezantuar kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike, të udhëhequr nga Ridvan Bode.
Në fjalën e mbajtur para qytetarëve korçarë, kreu i qeverisë deklaroi se deputetët e këtij qarku do të jenë përfaqësues të qytetarëve dhe se axhenda e tyre do të jetë në mbështetje të qytetarëve.
“Ne mbyllim tani një katër vjeçar, por mbyllim gjithashtu një katër vjeçar me suksese të padiskutueshme dhe me vështirësi të pamohueshme. Rezultatet janë të prekshme, reale, por rezultatet shumë të mëdha të tjera janë ato që keni firmosur ju në bizneset tuaja, në fermat tuaja, me mundin tuaj. Katër vitet që vijnë ne do bëjmë të harrohen 4 vitet që shkuan. Katër vitet që vijnë do të ecim katër herë më shpejt, ne besojmë tek liritë, besojmë se koha është më e çmuara e njeriut, ndaj kemi bërë gjithçka që ju të lëvizni me kohën më të shpejtë në të gjitha anët. Pas 1 viti e gjysëm do përgjysmohet rruga drejt Tiranës, pasi me përfundimin e rrugës së re ju do vini më shpejt drejt kryeqytetit”, deklaroi Berisha raporton Noa.al.
Ai u zotua se do hapen mijëra vende pune në Korçë dhe në mbarë Shqipërinë, duke thënë se vendi ynë është i bekuar duke e cilësuar si një Norvegji në mes të Ballkanit.
Kreu i qeverisë e cilësoi 4-vjeçarin e ardhshëm si atë të punësimit, duke u ndalur edhe në avancimin e teknologjisë dixhitale, duke theksuar se Shqipëria do të jetë vend lider për teknologjinë e lartë. Berisha theksoi se Shqipëria do të ketë rrjetin më të mirë rrugor në rajon dhe më gjerë.
Sakaq edhe nga ky qytet Kryeministri premtoi për mësuesit rrogë 700 dollarë, duke thënë se është një investim që jepet për fëmijët.
Berisha deklaroi se shqiptarët dhe demokratët kanë vokacionin e tyre perëndimor, duke bërë që Partia Demokratike dhe qeveria të punojë intensivisht për integrimin dhe që Shqipëria mori rekomandimin për statusin e vendit kandidat.
“Krahu tjetër ka një alternativë të vetme, akuza, mashtrime, bllokime. Pyesni veten a po shpik unë gjë?! Si ka mundësi që ky njeri vjen dhe i thotë Korçës që tij je Parisi ynë, në fakt Korça është qyteti i vlerave të mëdha, por nëse Korça vërtetë të ngjason me Parisin, ngjashmëria më e madhe është në aspiratat perëndimore. Si ka mundësi që ti e quan Korçën Paris dhe i mbyll dyert e integrimit asaj. Si ka mundësi që për 3 ligje pengon statusin. Ti zotëri urdhëroje Baçin tënd, ish-Kryeministër, me bori e bilbila vetëm për ti thënë BE se Shqipëria nuk meriton integrimin. Ndaj më 23 qershor votoni për përfaqësuesit tuaj të cilët do bëjnë gjithçka për integrimin në Europë. Ai përdori çdo etiketë për kandidatët tanë në Korçë, por dua t’iu them se kush janë deputetët që iu ka sjellë Rama, lexojini në memorien e katharsis të Fatos Nanos. Pyesni Kuçovën, pyesni Lushnjen, pyesni Gjirokastrën do u thonë që nuk i pranuam”, tha ndër të tjera Kryeministri Berisha.
Kandidatët e PD për qarkun Korçë
1. Ridvan Bode
2. Eleina Qirici
3. Edmond Spaho
4. Fatmir Mehdiu
5. Gjergji Papa
6. Fatbardh Kadilli
7. Leonard Olli
8. Viktor Duro
9. Ledina Aliolli
10. Sorina Koti
11. Adriana Hoxha
12. Artan Zaimi.
Rama: Pas 23 qershorit merr fund mallkimi, drejtorët e PD në gjyq
Sakaq kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama mbrëmjen e sotme u ndal në qytetin e Fierit për të prezantuar kandidatët për deputetë të udhëhequr nga Gramoz Ruçi.
Gjatë fjalës së tij para qytetarëve fierakë, mallakastriotë e myzeqarë, kryesocialisti e nisi fjalën e tij duke thënë se Kryeministri Sali Berisha e mbushi sheshin me robër, ndërsa Partia Socialiste e mbushi këtë shesh me qytetarë që së bashku do çlirojnë robërit e qeverisë.
Ai tha se pas 23 qershorit nuk do ketë më nëpunës shteti që të merren zvarrë për qokat e pushtetit dhe nuk do të ketë më të dhunuar për votën.
“Pas 23 qershorit shteti do të jetë i qytetarëve dhe qeveria do të jetë e gjithë shqiptarëve. Unë e di fare mirë se çfarë do i thotë Fieri Saliut më 23 qershor. Nuk e di se çfarë u tha Saliu fermerëve, por e di shumë mirë se fermerët do më 23 qershor do të shkojnë të votojnë për të ulur koston e prodhimit, për të pasur aftë pa akcizë dhe për të pasur shërbime njëlloj si në qytet dhe për të pasur më në fund certifikatën e tokës së tyre”, deklaroi Rama citon Noa.al.
Ndër të tjera ai tha se pas 23 qershorit shqiptarët do të çlirojnë pasuritë e naftës dhe burimet natyrore nga kthetrat e uzurpatorëve.
Rama tha se e kërkon votën që të gjithë shqiptarët të mund të pasurohen, dhe për të ulur taksat për 95% të shqiptarëve dhe jo vetëm për një grusht miliarderësh. Ai tha se vetëm nën pushtetin e Saliut burimet natyrore dhe lumenjtë, nga bekim kthehen në mallkim, duke u zotuar se pas 23 qershorit do kthehen këto pasuri në bekim. Ai tha se pas 23 qershorit gjithë drejtorët demokratë që bëjnë presion mbi nëpunësit me votë do të përfundojnë në gjyq për të dhënë llogari mbi presionet e tyre.
Kandidatët e PS për qarkun Fier
1-Gramoz Ruçi
2-Erjon Braçe
3-Eglantina Gjermeni
4-Ilirjan Celibashi
5-Armando Subashi
6-Arben Çuko
7-Pirro Lutaj
8-Majlinda Bufi
9-Ervin Koçi
10-Anduel Xhindi
11-Bujar Çela
12-Xhevit Bushi
13-Artur Çobani
14-Adelina Rista
15-Antoneta Dhima
16-Lindita Buxheli.a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





