Transmetuar më 17-05-2013, 19:45

Tiranë, 17 maj 2013, NOA.al/Arjola Ymeraj- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hedhur shortin për renditjen e partive dhe koalicioneve politike që garojnë në zgjedhjet e 23 qershorit, në mënyrë që të përcaktohet numri që do mbajnë në fletën e votimit.

Përfaqësuesi socialist në këtë komision Genci Gjonçaj deklaroi se kjo është një vendimmarrje e rëndësishme e cila nuk mund të miratohet me katër vota, pasi nevojitet shumicë e cilësuar votash dhe në mungesë të anëtarëve të opozitës ky veprim vjen në shkelje me ligjin.

Ai kërkoi ndaj kryetares Lefteri Lleshi që të pranojë se është në kushtet e pamundësisë për të vepruar, ndaj duhet të drejtohet në organet përkatëse.

Nga ana e tij përfaqësuesi ligjor demokrat Njazi Kosovrasti, deklaroi se vendimmarrja e KQZ është e ligjshme dhe çdo gjë bëhet në përputhje me Kodin Zgjedhor.

Por pavarësisht kësaj nga hedhja e shortit u vendos që në fletën e votimit në bazë të koalicioneve dhe partive politike renditja është:

Partia Lidhja për Drejtësi dhe Progres nr. 1

Partia Popullore Kristian Demokrate nr.2

Aleanca për Shqipërinë Europiane nr.3 (Koalicioni opozitar, drejtuar nga PS)

Aleanca për Punësim Mirëqenie dhe Integrim nr.4 (Koalicioni në qeveri, drejtuar nga PD)

Partia Aleanca Kuq e Zi nr.5

Partia Fryma e Re Demokratike nr.6

Sqarojmë këtu se partitë që garojnë vetëm në zgjedhje mbajnë numrat e sipërpërmendur, ndërsa brenda koalicioneve çdo parti që është pjesë e tij ka një numër rendor specifik, i cili do të hidhet në një shorte të mëtejshëm.a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit