Transmetuar më 17-05-2013, 14:39

Tiranë, 17 maj 2013, NOA.al/Arjola Ymeraj- (Update) Në vijim të fjalës së tij në bashkëbisedim me gazetarët në qytetin e Korçës, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se Partia Demokratike nuk bën sondazhe dhe nuk i beson ato, duke shprehur besim në arsyetimin e qytetarëve.

Lidhur me koalicionin opozitar, ai theksoi se u bashkuan katër parti komuniste, dhe së fundmi theksoi se Edi Rama ngeli me një grup diktatorësh dhe humbësish të pashpresë në politikë, ndërsa shprehu bindjen se edhe vetë aty do të përfundojë.

Duke cituar një studim shefi i mazhorancës theksoi se kryesocialisti shan tre herë më shumë se ai, duke u treguar i papërmbajtur.

Po në këtë linjë Berisha nënvizoi se vetëm platforma e qendrës së djathtë mund të bëjë reforma, pasi e majta është katastrofë dhe kudo ku qeverisë ajo thellohet kriza.

Ai tha se Edi Rama mori Koço Kokëdhimën, por humbi frymën në parti dhe opozitë.

I pyetur për bashkëpunëtorët e Partisë Demokratike të mbetur jashtë liste, siç raporton Noa.al, Berisha garantoi se asnjë prej tyre nuk ka mbetur jashtë se nuk kanë qenë bashkëpunëtorë.

“Kam në listë 3 socialistë por edhe aleatët e mi, gjithë pasojat e marrëveshjes i mbaj vetë. Zoti Meta me të cilin kisha marrëveshje për të qeverisur, dy muaj para e braktisi marrëveshjen. U ndërpre për të rrëzuar Berishën, duke dashur të shkojnë me qeveri teknike, injorancë e gjallë kushtetuese, pasi kushtetuta parashikon vetëm qeveri mazhorance. Këta menduan se tani u erdhi koha të realizonin një ëndërr të Edi Ramës që nuk e realizuan në 4 vjet. Deputetët e PS siguruan që vendi të mos kalonte në krizë dhe të mos dilja në opozitë. Ju e dini vetë sa më duan njerëzit në opozitë, edhe kur isha, unë s’bëj makinacione. Pa asnjë lloj hezitimi i vendosa deputetët socialistë në listë. Një interes më madhor prevaloi mbi interesin e PD”, deklaroi Kryeministri.

Kreu i qeverisë përsëriti edhe njëherë gatishmërinë për të mbledhur Parlamentin, për të votuar anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por theksoi se edhe kur i kishte anëtarët në KQZ dhe firmosnin të 7, Edi Rama nuk i njohu zgjedhjet, duke nënvizuar se punon për qytetarët.

I pyetur për përdorimin e administratës në fushatën elektorale, ai tha se administrata ka të gjithë të drejtën përveç ushtrisë, policisë dhe SHIK, gjithë të tjerët kanë të drejtë të angazhohen në fushatë, por pa shkelur orarin zyrtar.

Ndërkaq bëri me dije se sapo të fillojë fushata zyrtarisht asnjë mjet apo burim zyrtar i administratës nuk mund të përdoret në fushatë, përveç fondit të partisë, por nënvizoi se zyrtarët e administratës nuk mund të provohen nga fushata.

Në këtë linjë ai tha se fton zyrtarët e administratës të mos kërcënohen nga Edi Rama, duke thënë se është në gjendje shumë nervoze, duke thënë se kryesocialisti i thotë mësuesve se janë më të padijshëm, policëve se janë banditë, duke theksuar se është në një fazë të veçantë psiqike.

Berisha theksoi se çdo akuzë e Ramës është e stisur dhe e sajuar të një njeriu të dështuar që i është fikur fushata. Lidhur me një koalicion paszgjedhor me Bamir Topin, ai tha se është rreshtuar në krah të Edi Ramës përderisa i dha votës i dha dhe zemrën politike, duke theksuar se koalicionin paszgjedhor e përcakton sovrani. a.y/noa.al

Berisha: Rama bllokon KQZ për të justifikuar humbjen, prioritet vizat me SHBA

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit