Transmetuar më 17-05-2013, 13:46

Strugë, 17 maj 2013, NOA.al- Ministrat e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Gordana Jankulloska dhe Shqipërisë Flamur Noka sot në vendkalimin kufitar  "Qafë-Thanë" lëshuan në përdorim Qendrën e kontaktit për bashkëpunim policor midis policive të të dyja vendeve.

Dy ministrat theksuan se hapja e Qendrës së përbashkët për bashkëpunim policor, është edhe një hap drejt thellimit dhe përmirësimit të bashkëpunimit të policisë së Maqedonisë dhe të Shqipërisë.

“Sistemi i tillë i punës do të mundësojë koordinim më të mirë të shërbimeve kufitare sepse në një vend do të mund t’i shkëmbejnë informacionet të cilat janë relevante për punën e tyre dhe t’i zgjidhin situatat kontestuese në rast se për këtë ka nevojë. Me hapjen e Qendrës së Kontaktit përmirësojmë edhe lëvizjen e udhëtarëve dhe automjeteve si dhe intensifikimin e komunikimit midis të dyja shteteve", deklaroi ministrja  Jankulloska.

Ajo vlerësoi se sistemi i tillë i punës e lehtëson funksionimin e shërbimeve policore. Sipas ministrit shqiptar Noka, hapja e Qendrës  paraqet edhe thellim të bashkëpunimit midis të dy ministrive të punëve të brendshme dhe shtete në luftën kundër çfarëdolloji të krimit. Ai informoi se hapja e Qendrës bazohet në Konventën e Vjenës për bashkëpunim policor të vendeve të Evropës Juglindore. "Në sferën e bashkëpunimit policor me Maqedoninë jemi shembull në rajon. Me hapjen e Qendrës do të rritet edhe efikasiteti i shërbimeve policore dhe e gjithë kjo në drejtim edhe të thellimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore midis Maqedonisë dhe Shqipërisë", deklaroi Noka.

Jankulloska dhe Noka nënshkruan edhe Memorandum për bashkëpunim midis sektorëve për kontroll të brendshëm të të dy ministrive, ndërsa e vizituan edhe pikën e kalimit kufitar  lokal  Xhepishtë-Trebishtë.

Shërbimet kufitare në këtë pikë kufitare nga 2 maji i këtij viti deri më tani kanë regjistruar gjithsej 726 udhëtarë prej të cilëve 117 janë nga Maqedonia, ndërsa 609 janë shtetas të huaj./n.p/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit