Transmetuar më 17-05-2013, 11:41

Prishtinë 17 Maj 2013/NOA.al – Një polic është sulmuar fizikisht duke marrë lëndime të rënda trupore nga një grup prej së paku katër personash në fshatin Prekaz, të Skenderajt.  Sipas njoftimit të Policisë, i rrahuri, fillimisht është dërguar në qendrën e mjekësisë familjare në Skenderaj, më pas ai është transferuar në Qendrën Klinike Universitare në  Prishtinë për trajtim të mëtejmë. Sipas raportit mjekësor, konsiderohet lëndimet e pranuara në këtë rast i përkasin natyrës së lëndimeve të rënda trupore.

“Pjesëtari i Policisë së Kosovës, i cili në kohën e incidentit ishte duke shkuar në punë, ishte ndalur në një shitore në fshat, për furnizim, ndërsa veturën e tij private e kishte parkuar para dyqanit. Me të dalë jashtë lokalit, viktima është sulmuar fizikisht, me mjete të forta, nga grupi i personave, të njohur për viktimën”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës nuk ka arrestuar asnjë person deri më tani lidhur me këtë rast, ndërsa të dyshuarit janë të identifikuar për Policinë e Kosovës.

Sulmi dyshohet se është bërë për motive hakmarrëse pas një konflikti të mëparshëm. Policia tha se sulmi ka qenë i planifikuar. “Palët në konflikt kanë të regjistruara raste të problemeve të mëhershme ndër familjare të cilat kanë mbetur të pazgjidhura”, thuhet më tej në njoftimin e PK-së./t.k/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit