Transmetuar më 17-05-2013, 10:37

Strasburg, 17 maj 2013, NOA – Zëvendës Ministrja e Punëve të Jashtme, Edith Harxhi mori pjesë, në punimet e Ministerialit të Këshillit të Evropës, i cili mblodhi në Strasburg, Ministra të Jashtëm, Sekretarë Shteti, zv. ministra dhe personalitete të tjera të larta nga 47 vendet anëtare të kësaj Organizate. Ky Ministerial shënoi edhe përfundimin e Kryesisë së Komitetit të Ministrave nga Andorra, presidencë që Andorra e mori nga Shqipëria.

Tematika kryesore e këtij Ministeriali ishte "Impakti i Këshillit të Evropës në ruajtjen dhe promovimin e Demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës".

Zv.Ministrja Harxhi, në ligjëratën e saj, vlerësoi se roli i Këshillit të Evropës, merr një rëndësi të madhe, sidomos në realitetin e ri, ku kriza ekonomike ka detyruar shtetet të ndërmarrin reforma drastike, të cilat prekin në masë të konsiderueshme grupet vulnerabël të shoqërive tona. Ajo vlerësoi reformën që ka ndërmarrë Sekretari i Përgjithshëm i KiE, z. Thorbjorn Jagland, duke rivitalizuar dinamikën e kësaj Organizate dhe risiguroi Komitetin e Ministrave për mbështetjen e vazhdueshme që Shqipëria po jep dhe do vijojë të japë për forcimin e këtij tempulli të demokracisë.

Gjatë zhvillimeve të punimeve të Ministerialit, zv.Ministrja Harxhi zhvilloi një sërë takimesh dypalëshe me ministra dhe homologë të saj, përfaqësues të Këshillit të Evropës dhe vendeve anëtare. Në takimin që znj. Harxhi pati me zv. Sekretaren e Përgjithshme të KiE, znj. Gabriela Battaini Dragoni, u vlerësua bashkëpunimi tepër pozitiv mes KiE dhe autoriteteve shqiptare në lidhje me programin e bashkëpunimit 2012-2014. Zv.Ministrja Harxhi falënderoi, znj Battaini Dragoni për asistencën që KiE po i ofron Shqipërisë në kuadër të zgjedhjeve të 23 qershorit, ndihmë e cila është orientuar për  administratën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe për sensibilizimin e votuesve të rinj. Nga ana e saj, Bataini Dragoni falënderoi autoritetet shqiptare  nëpërmjet zv. ministres Harxhi për ratifikimin nga Shqipëria të Konventës së Stambollit për luftën ndaj dhunës së grave, duke e renditur vendin tonë ndër të parët qe ndërmorën një vendim të tillë dhe duke nxitur ratifikime të tjera të kësaj Konvente.

Zv. Ministrja Harxhi zhvilloi një takim edhe me Zv/Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm dhe Integrimit Evropian të Malit të Zi z. Igor Luksiç,. Në këtë takim u fol për bashkëpunimin dypalësh si dhe për ecurinë e projektit TAP. Harxhi e informoi Luksiç mbi përpjekjet dhe vizionin e Shqipërisë mbi këtë projekt.  Më pas, Zv. Ministrja Harxhi mori pjesë në drekën e punës ofruar nga Sekretari i Përgjithshëm Thorbjorn Jagland, ku ishin të pranishëm Ministrat e Jashtëm pjesëmarrës në Ministerial, dhe ku u diskutua mbi politikat reformuese të Këshilit të Evropës në të ardhmen.

Punimet e Ministerialit u mbyllën me dorëzimin e Kryesisë së Komitetit të Ministrave nga Andorra tek Armenia, e cila do ta mbajë këtë Kryesi deri në nëntor 2013.

noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit